1 Bekoje Zotin, o shpirti im!
O Zot, Perëndia im, sa i madhërishëm je!
Je veshur me shkëlqim e lavdi,
2 dhe mbështillesh me dritën si me rrobë.
Qiellin e shtrin porsi tendë,
3 banesat e tua të larta mbi ujëra i ndërton,
retë i bën si karrocë për vete
dhe ecën mbi krahët e erës.
4 Erërat i bën lajmëtarë të tu,
flakët e zjarrit shërbestarë të tu.
5 Tokën e vendose mbi themelet e saj,
nuk do të lëkundet kurrë.
6 E mbulove me humnerë si me rrobë,
ujërat qëndruan mbi male.
7 Prej qortimit tënd ikin,
prej zërit të gjëmimit tënd marrin arratinë.
8 Ngjiten maleve, zbresin fushave,k
drejt vendit që u caktove.
9 U vure kufi që të mos e kapërcejnë
e të mos kthehen për të mbuluar tokën.
10 Ti i dërgon burimet ndër përrenj,
mes maleve ato rrjedhin.
11 U japin ujë gjithë kafshëve të fushës,
gomarëve të egër u shuajnë etjen.
12 Pranë tyre banojnë zogjtë e qiellit,
mes degëve dëgjohet kënga e tyre.
13 Prej banesave të tua të larta u jep ujë maleve,
toka ngopet me frytet e duarve të tua.
14 Ti rrit barin për bagëtinë
e bimët në dobi të njeriut,
që të nxjerrë ushqimin nga toka,
15 verën që gëzon zemrën e njeriut,
vajin që i ndriçon fytyrën
e bukën që i forcon zemrën.
16 Ngihen drurët e Zotit,
cedrat e Libanit që ai mbolli.
17 Atje bëjnë fole zogjtë,
bredhat janë banesa e shtërgut.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra,
shkrepat strehë për vjedullat.
19 Bëre hënën për të shënuar stinët
dhe dielli e di kur të perëndojë.
20 Hedh errësirën e bëhet natë,
nëpër të enden gjithë egërsirat e pyllit.
21 Këlyshët e luanëve ulërijnë për gjah,
nga Perëndia kërkojnë ushqim.
22 Kur lind dielli, mblidhen
e shtrihen nëpër strofkat e tyre.
23 Njeriu del për punë
e lodhet deri në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot!
Të gjitha i ke bërë me urti!
Toka është plot me krijesat e tua.
25 Ja deti i madh e i gjerë!
Atje ka zvarranikë të panumërt,
gjallesa të vogla e të mëdha.
26 Atje lundrojnë anije,
Leviatani që krijove për të luajtur në të.
27 Të gjitha presin prej teje
ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti u jep, ato mbledhin,
ti hap dorën, ato ngihen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën, ato tmerrohen,
ua heq frymën, ato ngordhin
e kthehen përsëri në pluhur.
30 Ti dërgon frymën tënde, ato krijohen,
ti përtërin faqen e tokës.
31 Lavdia e Zotit qëndroftë përjetë!
U gëzoftë Zoti për veprat e tij!
32 Ai hedh sytë mbi tokë e ajo dridhet,
prek malet e nxjerrin tym.
33 Do t’i këndoj Zotit gjithë jetën time,
do ta përhimnoj Perëndinë tim sa të jem gjallë.
34 I pëlqeftë kënga ime
e unë do të ngazëllej në Zotin.
35 U zhdukshin mëkatarët nga toka,
të paudhët mos qofshin më.
Bekoje Zotin, o shpirti im!
Aleluja!