1 Jezui shkoi në malin e Ullinjve. 2 Në të gdhirë, u kthye përsëri në tempull dhe i gjithë populli shkonte pranë tij. Ai u ul e mësonte njerëzit.
3 Atëherë shkruesit dhe farisenjtë i çuan një grua që ishte kapur duke bërë tradhti bashkëshortore dhe, pasi e vunë në mes, 4 i thanë: «Mësues, kjo grua u kap duke bërë tradhti bashkëshortore. 5 Në ligj Moisiu na ka urdhëruar t’i vrasim me gurë gra të tilla. Po ti, ç’thua?». 6 Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul e filloi të shkruante me gisht në tokë. 7 Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!». 8 Pastaj u ul përsëri e shkruante në tokë.
9 Kur e dëgjuan këtë,g ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes. 10 Jezui u ngrit e i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?». 11 Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më që tani e tutje!».
Drita e botës
12 Atëherë Jezui foli përsëri me ta e u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». 13 Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». 14 Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj. 15 Ju gjykoni sipas dobësisë njerëzore, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. 16 Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. 17 Në ligj shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. 18 Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». 19 Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim».
20 Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.
Udha e Jezuit drejt lartësimit
21 Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj e ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë». 22 Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini ku po shkoj unë”?». 23 Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë. 24 Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja». 25 Ata i thanë: «Kush je ti?». Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam. 26 Kam shumë për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë i them botës ato që dëgjova prej tij». 27 Ata nuk e kuptuan se po u fliste për Atin.
28 Atëherë Jezui u tha: «Kur ta keni lartësuar Birin e njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nuk bëj asgjë nga vetja, por flas si më mësoi Ati. 29 Ai që më dërgoi është me mua e nuk më ka lënë vetëm, sepse unë bëj gjithnjë çfarë i pëlqen atij».
30 Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu.
E vërteta të bën të lirë
31 Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi, 32 do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë». 33 Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?». 34 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit. 35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë. 36 Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.
37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. 38 Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj».
Bij të Abrahamit apo të djallit?
39 Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami». Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij. 40 Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë. 41 Ju bëni veprat e atit tuaj».
Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë». 42 Jezui u tha: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi. 43 Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time. 44 Ati juaj është djalli e ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi e nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. 45 Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni.
46 Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni? 47 Kush është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë».
Jezui dhe Abrahami
48 Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan e ke djallin?». 49 Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni. 50 Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon e se kush gjykon. 51 Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë».
52 Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu edhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”. 53 A mos je ti më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?». 54 Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon. 55 Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. 56 Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua». 57 Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?». 58 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam». 59 Ata morën gurë për t’i gjuajtur, por Jezui u fsheh e doli nga tempulligj.