Psalmet 102

Lutje e të mjerit, kur është i hidhëruar dhe brengën e tij e nxjerr para Zotit.

Zot, dëgjoje lutjen time

e klithma ime ardhtë te ti.

Mos e fshih fytyrën tënde prej meje

ditën e fatkeqësisë sime,

prire veshin tënd drejt meje

ditën që të thërras

e dëgjomë sa më shpejt.

Se ditët e mia po zhduken si tymi,

eshtrat po më bëhen shkrumb si prushi.

Zemra po më vyshket si bari e po thahet,

kam harruar të ha edhe bukën time.

Prej ofshamës së rënkimit tim

jam bërë kockë e lëkurë.

Jam bërë si pelikani në shkretëtirë,

i ngjaj kukuvajkës ndër rrënoja.

Gjumi nuk më merr,

jam si trumcaku i vetmuar mbi çati.

Armiqtë më përqeshin tërë ditën,

edhe ata që më thurin lavde

nëmin në emrin tim.

10 Po ha hi si bukë,

pijen e përziej me lot.

11 Për shkak të zemërimit e furisë sate,

lart më ngrite, por mandej më plandose.

12 Ditët e mia janë si hija e muzgut

e unë po thahem si bari.

13 Por ti, o Zot, mbetesh në amshim,

kujtimi yt brez pas brezi.

14 Do të ngrihesh e do të kesh dhembshuri për Sionin,

se erdhi koha të tregohesh i mëshirshëm me të;

po, erdhi koha e caktuar!

15 Shërbëtorët e tu i duan gurët e tij,

u dhimbset edhe pluhuri i tij.

16 Atëherë kombet do ta druajnë emrin e Zotit

e gjithë mbretërit e tokës lavdinë e tij,

17 kur Zoti ta ndërtojë Sionin

e në lavdinë e tij të shfaqet.

18 Përgjërimin e të mjerëve e vuri re

dhe lutjen e tyre nuk e shpërfilli.

19 Le të shkruhet kjo për brezninë e ardhshme

dhe populli, që do të krijohet, le të lavdërojë Zotin.

20 Se Zoti pa nga shenjtërorja e tij e lartë,

prej qiellit hodhi vështrimin e tij mbi tokë,

21 për të dëgjuar rënkimin e të robëruarve,

për të shpëtuar të dënuarit me vdekje,

22 që emri i Zotit të shpallet në Sion

dhe lavdërimi i tij në Jerusalem,

23 kur popujt të mblidhen tok,

kur mbretëritë t’i shërbejnë Zotit.

24 Udhës ai m’i pakësoi fuqitë

e ditët m’i shkurtoi.

25 E thashë: «O Perëndia im,

vitet e tua mbeten brez pas brezi;

mos më merr në mes të ditëve të mia!

26 Së lashti ti themelove tokën,

qiejt janë vepra e duarve të tua.

27 Do të marrin fund,

por ti do të mbetesh;

të gjitha do të vjetrohen si rrobë,

do t’i ndërrosh si petk e do të brehen.

28 Ti do të mbetesh po ai

dhe vitet e tua nuk do të kenë fund.

29 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim,

pasardhësit e tyre do të jenë të fortë para teje».