1 Psalm i Davidit.
Jepmë të drejtë, o Zot,
se jetoj me ndershmëri.
Në Zotin kam besim
e s’kam për t’u lëkundur.
2 Hetomë, o Zot, e provomë,
mendjenr dhe zemrën m’i shqyrto.
3 Mirësinë tënde e kam parasysh,
në besnikërinë tënde jetoj.
4 Nuk kuvendoj me njerëz të pavërtetë,
me shtiracakë nuk bëj shoqëri.
5 Tubimet e të këqijve i urrej,
me të paudhët nuk ulem.
6 Duart i laj në pafajësi
e rreth altarit tënd sillem, o Zot,
7 që të shpall me zë të lartë lavdinë tënde,
e të kumtoj të gjitha mrekullitë e tua.
8 O Zot, e dua tempullin ku banon ti
dhe vendin ku prehet lavdia jote.
9 Mos e hidh tej shpirtin tim me të paudhët
e as jetën time me gjakatarët.
10 Me duar bëjnë paudhësi,
të djathtën e mbushin me mita.
11 Por unë jetoj me ndershmëri,
shpengomë e mëshiromë.
12 Këmba ime shkel në udhë të drejtë,
mes bashkësisë do ta bekoj Zotin.