Flija e paqtimit
1 «Kush kushton fli paqtimi prej bagëtive të trasha, të kushtojë para Zotit një mashkull apo një femër të patëmetë. 2 T’i vërë dorën mbi kokë flisë e ta therë para tendës së takimit. Mandej, priftërinjtë, bijtë e Aronit, ta spërkatin gjakun përreth altarit. 3 Prej flisë së paqtimit t’i kushtojë Zotit si fli në zjarr dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, 4 të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat. 5 Bijtë e Aronit t’i shkrumbojnë ato në altar mbi flinë e shkrumbimit që është vendosur mbi drutë e zjarrit. Kjo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin.
6 Nëse i kushton Zotit si fli paqtimi një bagëti të imët, të kushtojë një mashkull apo një femër të patëmetë. 7 Nëse kushton si fli një qengj, ta paraqesë para Zotit, 8 t’i vërë dorën mbi kokë flisë e ta therë para tendës së takimit. Bijtë e Aronit ta spërkatin gjakun përreth altarit. 9 Prej flisë së paqtimit t’i kushtojë Zotit si fli në zjarr dhjamin, gjithë bishtin, të cilin do ta presë që nga shtylla kurrizore, dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, 10 të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat. 11 Mandej, prifti t’i shkrumbojë mbi altar. Kjo është fli ushqimi, e djegur për Zotin.
12 Nëse kushton një dhi, ta paraqesë para Zotit, 13 t’i vërë dorën mbi kokë flisë e ta therë para tendës së takimit. Bijtë e Aronit ta spërkatin gjakun përreth altarit. 14 Prej saj t’i kushtojë Zotit si fli në zjarr dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, 15 të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat. 16 Mandej, prifti t’i shkrumbojë mbi altar. Kjo është fli ushqimi, e djegur, erëkëndshme, për Zotin. 17 Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja: nuk do të hani as dhjamin e as gjakun».