Vaji dhe buka e paraqitjes
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë. 3 Aroni ta ndezë para Zotit nga mbrëmja deri në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. 4 Aroni të kujdeset për llambat mbi shandanin e artë, që të ndriçojnë përherë para Zotit.
5 Merr mandej majë mielli e piq dymbëdhjetë kuleç. Çdo kulaç të jetë gjashtë kilogramë. 6 Vendosi në dy radhë me nga gjashtë mbi tryezën e pastër para Zotit. 7 Mbi çdo radhë vendos temjan të pastër, i cili do të jetë përkujtim për bukën e do të kushtohet si fli zjarri para Zotit. 8 Këto bukë të vendosen përherë para Zotit, çdo të shtunë. Izraelitët t’i sjellin si besëlidhje të amshuar. 9 Ato i përkasin Aronit e bijve të tij. T’i hanë në vendin e shenjtë, sepse për ta ato janë shumë të shenjta dhe pjesë e flive të zjarrit për Zotin. Ky është rregull i përhershëm».
Fyerja ndaj Zotit
10 Një herë, biri i një gruaje izraelite dhe i një burri egjiptian doli mes izraelitëve e u grind me të birin e një gruaje izraelite dhe të një burri izraelit. 11 I biri i izraelites fyeu e mallkoi emrin e Zotit. Atëherë e çuan te Moisiu. E ëma e tij quhej Shelomita dhe ajo ishte bija e Dibriut, prej fisit të Danit. 12 Të birin ia vunë nën rojë, derisa t’u dëftehej vullneti i Zotit.
13 Atëherë Zoti i tha Moisiut: 14 «Nxirreni jashtë fushimit atë që më fyeu. Të gjithë ata që e dëgjuan t’i vënë duart mbi kokën e tij dhe tërë bashkësia ta vrasë me gurë. 15 Ndërsa izraelitëve thuaju: kush fyen Perëndinë e vet, të mbajë peshën e mëkatit të vet. 16 Kush shan emrin e Zotit, të dënohet me vdekje. Bashkësia të vrasë me gurë të huajin, edhe vendasin. Kush shan emrin e Zotit, të vritet. 17 Kush merr jetë njeriu, të vritet. 18 Kush vret një kafshë, ta shpaguajë; jetë për jetë. 19 Atij që i shkakton plagë të afërtit, siç bëri t’i bëhet; 20 thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb. Çfarë plage i shkaktoi tjetrit, t’i bëhet edhe atij. 21 Kush vret një kafshë, ta shpaguajë, por kush vret një njeri, të vritet. 22 Mbani të njëjtin rregull për të huajin dhe për vendasin, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj».
23 Moisiu foli me izraelitët dhe ata e nxorën jashtë fushimit atë që kishte fyer Zotin dhe e vranë me gurë. Izraelitët bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.