Zanafilla 48

Jakobi bekon bijtë e Jozefit

Pas këtyre ngjarjeve Jozefin e njoftuan se i ati ishte sëmurë. Atëherë Jozefi mori me vete të dy bijtë, Manaseun dhe Efraimin. Kur i treguan Jakobit se po vinte biri i tij, Jozefi, mblodhi forcat dhe u ul mbi shtrat. Pastaj i tha Jozefit: «Perëndia i gjithëpushtetshëm m’u shfaq në Luz, në tokën e Kanaanit, e më bekoi. Ai më tha: “Ja, unë do të të shtoj, do të të shumoj e do të të bëj një shumicë popujsh. Këtë tokë do t’ua jap pasardhësve të tu si pronë të përjetshme”. Tani pra, të dy bijtë e tu, Efraimi dhe Manaseu, që të lindën në tokën e Egjiptit para se unë të vija këtu, do të jenë bijtë e mi ashtu siç janë Rubeni dhe Simeoni. Ndërsa bijtë e lindur pas tyre do të jenë të tutë dhe, për nga trashëgimia, do të thirren sipas emrit të Efraimit e Manaseutzhsepse Rakela më vdiq rrugës kur po vija nga Padani. Ajo vdiq në tokën e Kanaanit, kur ishim ende larg Efratës, dhe unë e varrosa aty, rrugës për në Efratë, ku është Betlehemi».

Kur Izraeli i pa bijtë e Jozefit, tha: «Kush janë këta?». Jozefi iu përgjigj të atit: «Janë bijtë e mi që Perëndia m’i dha në këtë vend». Atëherë Jakobi i tha: «M’i sill pranë që t’i bekoj». 10 Izraelin e kishin lënë sytë për shkak të pleqërisë e nuk mund të shikonte më. Jozefi i afroi të bijtë dhe Jakobi i puthi e i përqafoi. 11 Izraeli i tha Jozefit: «Kurrë nuk e prisja të të shihja, por ja, Perëndia më ka lejuar të shoh edhe pasardhësit e tu!». 12 Jozefi i mori të bijtë nga prehri i të atit e u përkul me nderim gjer në tokë. 13 Pastaj i mori të dy dhe ia afroi Jakobit. Efraimin e vuri në të djathtë të vetes, që ishte në të majtë të Izraelit, ndërsa Manaseun e vuri në të majtë të vetes, që ishte në të djathtë të Izraelit. 14 Por Izraeli shtriu dorën e djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit, më të voglit. Ndërsa dorën e majtë e vuri mbi kryet e Manaseut. Kështu, ai i kryqëzoi duart, ndonëse Manaseu ishte i parëlinduri. 15 Atëherë e bekoi Jozefin e tha:

«Perëndia, në praninë e të cilit jetuan etërit e mi,

Abrahami e Isaku,

Perëndia që ka qenë bariu im

gjatë tërë jetës sime deri më sot,

16 engjëlli që më shpengoi nga çdo e keqe,

ai i bekoftë djemtë.

Në ta u përmendtë emri im

dhe emri i etërve të mi,

Abrahamit e Isakut.

U shtofshin e u shumofshin mbi tokë!».

17 Kur Jozefi pa se i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kryet e Efraimit, nuk i erdhi mirë. Ia kapi dorën të atit për t’ia hequr nga kryet e Efraimit e për t’ia vënë mbi krye Manaseut. 18 I tha të atit: «Jo kështu, ati im! Ky është i parëlinduri. Vëre dorën e djathtë mbi kryet e tij!». 19 Por i ati e kundërshtoi e i tha: «E di biri im, e di! Edhe ai do të bëhet një popull i madh. Megjithatë vëllai i tij i vogël do të bëhet më i madh dhe pasardhësit e tij do të bëhen mori kombesh». 20 Atë ditë Jakobi i bekoi e u tha: «Në emrin tuaj Izraeli do të bekojë duke thënë: “Të bëftë Perëndia si Efraimi e Manaseu!”». Kështu, ai e vuri Efraimin para Manaseut. 21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Ja, unë po vdes, por Perëndia do të jetë me ju e do t’ju kthejë në tokën e etërve tuaj. 22 Unë po të jap një pjesë më tepër se vëllezërit e tu, pjesën që mora nga dora e amoritëve përmes shpatës dhe harkut tim».


 zh48.6 he. vëllezërve të tyre