Jobi 23

Jobit i duket Perëndia larg

Jobi u përgjigj e tha:

«Edhe sot e kësaj dite ankoj i acaruar,

mbi rënkimin tim rëndon dora e tije.

Ah, sikur ta dija ku ta gjeja,

sikur të arrija te banesa e tij!

Para tij do ta shtroja çështjen time

e me plot të drejtë do ta hapja gojën.

Do të merrja vesh përgjigjen e tij

e do të kuptoja çfarë do të më thoshte.

A do të grindej me mua me tërë madhështinë e tij?

Jo, vërtet do të më dëgjojë!

Atje me të do të fliste një njeri i drejtë

e gjykatësi im përgjithmonë do të më shfajësonte.

Ja, shkoj më tej e ai nuk gjendet,

kthehem pas e nuk e pikas.

Po të sillem majtas askund nuk e shoh,

po të kthehem djathtas nuk ma kap dot syri.

10 E, pra, ai e di si sillem unë;

le të më vërë në provë e porsi ar do të dal.

11 Gjurmëve të tij shkeli këmba ime,

udhën e tij e mbajta pa dredhuar.

12 Urdhrit të buzëve të tij unë nuk iu shmanga,

fjalët e gojës së tij në zemër i mbajta.

13 Por ai është i vetëm e kush mund ta kundërshtojë?

Çfarë ai dëshiron, atë edhe e bën.

14 Çfarë caktoi për mua, ai do ta përmbushë,

e shumë gjëra të tjera që i ka në mendje.

15 Prandaj më zë tmerri në praninë e tij,

mendohem e dridhem prej tij.

16 Perëndia ma molisi zemrën

më tmerroi ai, i gjithëpushtetshmi.

17 Se nuk po më rrënon errësira,

as po më mbulon terri».


 e23.2 ose: dora ime