Psalmet 10

Lamed

Përse rri larg, o Zot?

Pse fshihesh në kohë të vështira?

I paudhi shfrytëzon me mburrje skamnorin;

rënçin në kurthet që ngritën vetë.

Me dëshirat e veta mburret i paudhi,

ndërsa lakmitari shan e mallkon Zotin.

I paudhi e mban hundën përpjetë e nuk kërkoni,

mendon se nuk ka Perëndi.

Punët i venë gjithnjë mbarë,

gjykimet e tua janë larg prej tij

dhe kundërshtarët i fshin me një frymë.

Thotë me vete:

«Nuk do të trandem,

kurrë nuk do më gjejë e keqja».

Pe

Goja e tij është plot mallkime, mashtrime e dhunë,

nën gjuhë ka ligësi e poshtërsi.

Zë pritë nëpër fshatra,

vret të pafajshmin në vende të fshehta

e me sy përgjon fatkeqin.

Cade

Fshihet e pret si luani në strofull,

pret për të rrëmbyer skamnorin,

e rrëmben dhe e zvarrit në rrjetën e tij.

10 Struket e mblidhet kruspull

dhe para forcës së tij fatkeqët bien.

11 I paudhi thotë me vete: «Perëndia harron,

është fshehur e nuk sheh gjë».

Kof

12 Ngrihu, o Zot,

ngrije dorën, o Perëndi,

e mos i harro skamnorët.

13 Pse i paudhi e përçmon Perëndinë

e thotë me vete:

«Ti nuk do të më shqyrtosh?».

Resh

14 Por ti ke parë,

se ti e sheh ligësinë dhe brengën,

ti i peshon me dorën tënde.

Te ti mbështetet fatkeqi,

ti je ndihmësi i jetimit.

Sin

15 Thyeja krahun të paudhit e të ligut,

hetoje për paudhësinë gjer në fund.

16 Zoti mbretëron përjetë,

por kombet zhduken nga toka e tij.

Tau

17 Dëshirën e të përulurve ti e dëgjon, o Zot,

ua forcon zemrën e bën kujdes,

18 që t’i japësh të drejtë jetimit e të shtypurit,

që njeriu i dheshëm të mos tmerrojë më askënd.


 i10.4 ose: s’ka kush i kërkon llogari