Zbulesa 9

I ra trumbetës engjëlli i pestë. Atëherë pashë një yll që kishte rënë nga qielli në tokë. Atij iu dha çelësi i pusit të humnerës. Ai hapi pusin e humnerës dhe prej tij doli tym si tymi i një furre të madhe. Dielli dhe ajri u errësuan nga tymi i pusit. Nga tymi dolën karkaleca mbi tokë dhe atyre iu dha e njëjta fuqi si fuqia e akrepave. Atyre iu tha të mos dëmtonin bimët, as barin dhe as pemët e tokës, por vetëm njerëzit që nuk e kanë vulën e Perëndisë në ballë. Dhe iu dha urdhër të mos i vrasin njerëzit, por t’i mundojnë për pesë muaj. Dhimbja që i mundonte ishte si dhimbja e pickimit të akrepit. Gjatë atyre ditëve njerëzit do ta kërkojnë vdekjen dhe nuk do ta gjejnë. Do të duan të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

Nga pamja karkalecat ngjanin me kuaj të bërë gati për luftë dhe në kokë mbanin diçka si kurora të arta. Fytyrat i kishin si fytyra njerëzish. Flokët i kishin si flokë grash, ndërsa dhëmbët si dhëmbë luanësh. Në kraharor kishin diçka si parzmore hekuri, ndërsa zhurma që bënin krahët e tyre ngjante me zhurmën e shumë qerreve me kuaj që vrapojnë për luftë. 10 Kishin bishta me thumba si të akrepave dhe gjithë fuqia e tyre për të lënduar njerëzit për pesë muaj qëndronte te bishtat. 11 Për mbret kishin engjëllin e humnerës, i cili në hebraisht quhet Abadon, ndërsa në greqisht e ka emrin Apolion.

12 Njëri mjerim shkoi. Ja tek po vijnë edhe dy mjerime të tjera pas tij.

13 I ra trumbetës engjëlli i gjashtë. Atëherë dëgjova një zë që dilte nga të katër qoshet e altarit të artë, që ndodhet para Perëndisë. 14 Zëri i tha engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: «Zgjidhi katër engjëjt që janë lidhur te lumi i madh i Eufratit!». 15 Të katër engjëjt, që ishin bërë gati për atë orë, për atë ditë, për atë muaj e për atë vit, u zgjidhën për të vrarë një të tretën e njerëzve.

16 Dëgjova numrin e ushtarëve të kalorësisë. Ishte dyqind milionë. 17 Kuajt dhe kalorësit që pashë në vegim kishin parzmore të kuqe si zjarri, të kaltra si hiacinti e të verdha si squfuri. Kokat e kuajve ishin si koka luanësh, ndërsa nga goja e tyre dilte zjarr, tym e squfur. 18 Nga këto tri plagë, nga zjarri, tymi e squfuri që dilte nga goja e kuajve, vdiq një e treta e njerëzve. 19 Sepse fuqia e kuajve qëndronte te goja dhe te bishti i tyre. Bishtat e tyre ngjanin si gjarpërinj, që me kokën e tyre u sillnin dëm njerëzve.

20 Pjesa tjetër e njerëzve, ata që nuk vdiqën nga këto plagë, nuk u penduan për veprat që kishin bërë, por vazhdonin të adhuronin djajtë e idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri apo druri, të cilët nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin. 21 Nuk u penduan as për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për kurvërinë e tyre e as për vjedhjet e tyre.