Jobi 38

Urtia krijuese

Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:

«Kush është ky që e zymton këshillën

me fjalë pa kuptim?

Ngjishe brezin si burrë,

se unë do të të pyes e ti do të më mësosh.

Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës?

Fol, nëse e njihke kuptimin!

Kush ia caktoi përmasat, po e dite?

Kush e mati me litar?

Mbi çfarë u hodhën themelet e saj

ose kush ia vuri gurin e këndit,

kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin

e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin?

Kush ia mbylli dyert detit,

kur shpërtheu e nga barku doli,

kur retë ia bëra si petka

e sterrën si shpërgënj?

10 Unë ia caktova caqet

e dyerve ua vura shulin,

11 pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej!

Këtu do të të thyhen dallgët krenare”.

12 Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin?

Po agut, a ia tregove vendin,

13 që tokën për cepash ta kapte

e t’i shkundte prej saj të paudhët?

14 Ajo shndërrohet si deltina nën vulë

e ngjyhet si petku.

15 Mëkatarëve u përvidhet drita

e u copëtohet krahu i ngritur.

16 A mbërrite dot te burimet e detit?

A shëtite vallë në fund të humnerës?

17 A t’u shfaqën ty dyert e vdekjes?

Po dyert e terratisjes i ke parë vallë?

18 A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut?

Trego, në i di tërë këto!

19 Nga bie rruga për ku banon drita?

Po errësira, ku e ka vendin,

20 që ta mbash brenda cakut të saj

e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh?

21 Patjetër ti e di, sepse kishe lindur

e i madh është numri i ditëve të tua.

22 A ke hyrë në hangarët e borës?

Po drithnikët e breshrit, i ke parë?

23 Unë i ruaj për kohë ngushtice,

për ditë beteje e luftimi.

24 Për cilën udhë shpërndahet drita

e përhapet juga mbi dhe?

25 Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës

e shtegun vetëtimës gjëmuese,

26 për të sjellë shi në tokën pa njeri,

mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia,

27 për të ngopur thatinën e shkretinë,

që djerrina bar të qesë?

28 A ka shiu atë?

Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi?

29 Prej barkut të kujt u lind akulli?

Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë?

30 Si gur ngurtësohet uji

e ngrin faqja e honit.

31 A mund t’i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave,

apo Orionit t’ia zgjidhësh vargoin?

32 A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit

dhe a e drejton dot Arushën me zogj?

33 Ai i njeh vallë ligjet e qiellit?

A i vendos dot në tokë rregullat e tij?

34 A mund t’i urdhërosh retë

që të të mbulojë uji përmbytës?

35 A mund t’i lëshosh vetëtimat

e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”?

36 Kush ia caktoi brendisë urtinë

e kush ia dha mendjes kuptimin?

37 Kush mund t’i numërojë retë me urti

e kush i zbraz kacekët e qiellit

38 kur pluhuri ngjishet tok

e plisat ngurtësohen?

39 A e gjuan dot prenë e luanit?

Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë,

40 kur mblidhen kruspull në strofull

apo kur presin në shkurrnajë?

41 Kush ia gatit korbit ushqimin,

kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin

e përenden pa ushqim?».