Jehojakimi djeg shkrimet e Jeremisë
1 Në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, Jeremisë iu drejtua kjo fjalë e Zotit e i tha: 2 «Merr një rrotull e shkruaj në të të gjitha fjalët që të thashë kundër Izraelit, kundër Judës e kundër të gjitha kombeve, që nga koha e Josisë e deri më sot. 3 Ndoshta njerëzit e shtëpisë së Judës do të dëgjojnë të gjithë zezonën që kam ndër mend të bëj kundër tyre, prandaj do të heqin dorë secili nga sjellja e vet e ligë e unë do t’ua fal fajin e mëkatin».
4 Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi në rrotull çfarë i tha Jeremia, të gjitha fjalët që i kishte thënë Zoti. 5 Atëherë Jeremia urdhëroi Barukun e i tha: «Unë e kam të ndaluar e nuk mund të shkoj në tempullin e Zotit, 6 prandaj shko ti në tempullin e Zotit, në një ditë agjërimi dhe lexo fjalët e Zotit në rrotullën që shkrove siç të thashë unë. Lexoji që t’i dëgjojnë edhe të gjithë judenjtë që do të vijnë prej qyteteve të tyre. 7 Ndoshta përgjërimi i tyre do të mbërrijë para Zotit dhe secili do të heqë dorë prej sjelljeve të veta të liga, sepse i madh është zemërimi e hidhërimi që lajmëroi Zoti kundrejt këtij populli». 8 Baruku, biri i Neriahut, bëri gjithçka i urdhëroi profeti Jeremi për leximin e librit të fjalëve të Zotit në tempullin e Zotit.
9 Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, në muajin e nëntë, u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jerusalemit dhe për të gjithë popullin që kishte ardhur në Jerusalem prej qyteteve të Judës. 10 Baruku lexoi rrotullën, para gjithë popullit, fjalët e Jeremisë, në tempullin e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në tremen e epërme, te hyrja e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.
11 Mikea, biri i Gemariahut, të birit të Shafanit, i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit të lexuara nga rrotulla, 12 zbriti nga pallati mbretëror në dhomën e shkruesit dhe, ja, ishin ulur të gjithë prijësit: Elishamai, shkrues; Delajahu, biri i Shemajahut; Elnatani, biri i Akborit; Gemariahu, biri i Shafanit, Sedekia, biri i Hananiahut dhe të gjithë prijësit. 13 Mikea u tregoi të gjitha fjalët që kishte dëgjuar kur Baruku kishte lexuar rrotullën para popullit. 14 Atëherë të gjithë prijësit dërguan Jehudiun, birin e Netanjahut, të birit të Shelemiahut, të birit të Kushit, për t’i thënë Barukut: «Merre në dorë rrotullën që lexove para popullit dhe eja». Atëherë Baruku, biri i Neriahut, mori në dorë rrotullën e shkoi tek ata. 15 I thanë: «Ulu e lexoje para nesh». Baruku e lexoi para tyre. 16 Kur i dëgjuan të gjitha ato fjalë, u kthyen tërë frikë nga njëri-tjetri e i thanë Barukut: «Të gjitha këto fjalë duhet t’ia tregojmë mbretit». 17 Pastaj e pyetën Barukun: «Na trego, pra, si i shkrove të gjitha këto fjalë. Prej gojës së tij?». 18 Baruku u përgjigj: «Ai m’i shpalli të gjitha këto fjalë dhe unë i shkrova me bojë në rrotull». 19 Prijësit i thanë Barukut: «Shko e fshihu ti dhe Jeremia e të mos e marrë vesh njeri ku gjendeni».
20 Ata shkuan te mbreti në treme, pasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe i treguan mbretit gjithçka. 21 Atëherë mbreti dërgoi Jehudiun të merrte rrotullën. Jehudiu e mori nga dhoma e Elishamait, shkruesit, dhe e lexoi para mbretit e para të gjithë prijësve që rrinin më këmbë pranë mbretit. 22 Mbreti rrinte ulur në pjesën dimërore të pallatit dhe kishte përpara mangallin me zjarrin ndezur, se ishte muaji i nëntë. 23 Pasi Jehudiu lexoi tri a katër shtylla, mbreti filloi t’i priste me briskun e shkruesit dhe t’i hidhte në zjarr, në mangall, derisa tërë rrotulla u dogj në zjarrin e mangallit. 24 As mbreti e as prijësit e tij nuk u trembën e nuk i shqyen petkat kur i dëgjuan këto fjalë. 25 Edhe kur Elnatani, Delajahu e Gemariahu iu lutën mbretit të mos e digjte rrotullën, ai nuk i dëgjoi, 26 përkundrazi, urdhëroi Jerahmelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit, dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, t’i kapnin Barukun, shkruesin, dhe profetin Jeremi. Por Zoti i kishte fshehur.
27 Pasi mbreti e dogji rrotullën me fjalët që kishte shkruar Baruku siç kishin dalë nga goja e Jeremisë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: 28 «Merr prapë një rrotull tjetër e shkruaj në të të gjitha fjalët që ishin në rrotullën e mëparshme, të cilën e dogji Jehojakimi, mbreti i Judës. 29 Shpall kundër Jehojakimit, mbretit të Judës: “Kështu thotë Zoti: ti e dogje atë rrotull duke thënë: ‘Pse ke shkruar se vërtet do të vijë mbreti i Babilonisë, do ta shkatërrojë këtë vend e do të zhbijë njerëz e kafshë?’. 30 Prandaj, kështu thotë Zoti kundër Jehojakimit, mbretit të Judës: nuk do të ketë kush të ulet pas tij në fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet përjashta, në vapën e ditës e në acarin e natës. 31 Unë do ta ndëshkoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij, për shkak të ligësisë së tyre. Mbi ta, mbi banorët e Jerusalemit dhe mbi popullin e Judës do të dërgoj tërë zezonën që lajmërova kundër tyre, por ata nuk më dëgjuan”».
32 Jeremia mori një tjetër rrotull e ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi çfarë doli nga goja e Jeremisë, të gjitha fjalët e rrotullës, që kishte djegur në zjarr Jehojakimi, mbreti i Judës. Atyre fjalëve iu shtuan edhe shumë të tjera si ato.