Jezui më i madh se Moisiu
1 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni me kujdes Jezuin, të dërguarin e Perëndisë dhe kryepriftin e besimit që shpallim. 2 Ai ishte besnik ndaj atij që e bëri kryeprift, ashtu siç ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Perëndisë. 3 Por Jezui u çmua i denjë për lavdi më të madhe se Moisiu, sepse ai që ndërton shtëpinë nderohet më shumë se vetë shtëpia. 4 Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.
5 Moisiu ishte besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë, por si shërbëtor dhe për të dëshmuar gjithçka që do t’i thoshte Perëndia. 6 Ndërsa Krishti është si biri në shtëpinë e vet, shtëpi e cila jemi ne, nëse ruajmë guximin dhe shpresën me të cilën mburremi.
Mos i ngurtësoni zemrat
7 Sikurse thotë Shpirti i shenjtë:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja
si në ditën e rebelimit
gjatë tundimit në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan
e më vunë në provë,
ndonëse i kishin parë veprat e mia
10 për dyzet vjet.
Prandaj unë u zemërova
me atë brezni e thashë:
gjithmonë mashtrohet zemra e tyre
dhe ata nuk i njohën udhët e mia.
11 Dhe u përbetova në zemërimin tim kështu:
nuk kanë për të hyrë në prehjen time.
12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjëri prej jush ka zemër të ligë e mosbesuese dhe kështu largohet nga Perëndia i gjallë. 13 Por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë për sa kohë të jetë «sot», që të mos ngurtësohet ndonjë prej jush nga mashtrimi i mëkatit. 14 Ne bëhemi pjesëtarë të Krishtit vetëm nëse e ruajmë të sigurt deri në fund besimin dhe bindjen e fillimit. 15 Thuhet qartë:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
mos i ngurtësoni zemrat tuaja
si në ditën kur ngritët krye.
16 Kush ishin ata që dëgjuan dhe u rebeluan? A nuk ishin të gjithë ata që dolën nga Egjipti me Moisiun? 17 Kush ishin ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A nuk ishin ata që mëkatuan dhe lanë kockat nëpër shkretëtirë? 18 Për cilët u betua se nuk do të hyjnë në prehjen e tij? A nuk u betua për ata që nuk u bindën? 19 Shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit.