Shpëtim për Jerusalemin
1 Mjerë ti që shkatërron,
edhe pse s’të kanë shkatërruar,
ti që tradhton,
edhe pse s’të kanë tradhtuar,
se, sapo të kesh shkatërruar,
do të shkatërrohesh,
sapo të kesh tradhtuar,
do të tradhtohesh.
2 Ki mëshirë për ne, o Zot,
se kemi shpresuar te ti.
Bëhu mbrojtja jonë çdo mëngjes,
shpëtimi ynë në kohë mjerimi.
3 Nga ushtima, ikin popujt,
kur ngrihesh ti, shpërndahen kombet.
4 Do të grumbullohet plaçka e luftës si vemjet,
do të vërsulen mbi to si karkalecat.
5 Madhështor është Zoti,
se banon në lartësi,
Sionin e ka mbushur
me të drejtë e drejtësi.
6 Ditët e tua do të jenë të palëkundshme,
urtia e dija, pasuria shpëtimtare,
droja e Zotit thesari yt.
7 Ja, trimat e tu bërtasin nëpër rrugë,
lajmëtarët e paqes qajnë hidhur.
8 Sheshet janë të shkreta,
shtigjeve s’kalon kush,
besëlidhja është shkelur,
qytetet janë përçmuar,
njeriu s’ka më vlerë.
9 Është tharë, është vyshkur toka,
nga turpi është venitur Libani,
Sharoni është bërë shkretëtirë,
Bashani e Karmeli dridhen.
10 E tani po ngrihem, thotë Zoti,
ja, në këmbë po çohem,
tani po madhërohem!
11 Keni ngjizur sanë, kashtë do të lindni,
fryma ime do t’ju përpijë si zjarri!
12 Popujt do të digjen në furrën e gëlqeres,
si ferrat e prera do t’i djegë zjarri.
13 Ju që jeni larg, dëgjoni çka bëra,
ju që jeni afër, njiheni fuqinë time.
14 Mëkatarët në Sion u tmerruan,
të paudhët dridhmat i pushtuan.
«Kush prej nesh mund të banojë», thonë,
«Mes zjarrit përvëlues?
Kush prej nesh mund të banojë
mes flakëve të përjetshme?».
15 Ai që ecën me drejtësi,
ai që flet çka është e drejtë,
që s’kërkon fitim të pandershëm,
që tund duart për të mos marrë mitë,
që mbyll veshët për të mos dëgjuar për vrasje,
që mbyll sytë për të mos parë të keqen,
16 ai do të banojë në vend të lartë,
fortesa mbi shkëmb do të jetë streha e tij,
do të ketë bukë për të ngrënë,
nuk do t’i mungojë uji.
17 Sytë tuaj do të shohin një mbret të lavdishëm,
do të kundrojnë një vend që s’ka fund.
18 Zemra jote do të përsiatë me tmerr:
«Ku është ai që mban shënim?
Ku është ai që peshat mat?
Ku është ai që kullat numëron?».
19 Popullin mizor s’do ta shohësh më,
atë popull me një të folme që s’merrej vesh,
që belbëzonte gjuhë të pakuptueshme.
20 Kundro Sionin, qytetin e të kremteve tona!
Sytë e tu do të shohin Jerusalemin,
vendbanimin e qetë, tendën e patundur.
Hunjtë e saj s’do t’i shkulin dot kurrë,
litarët e saj nuk do t’i këputin.
21 Atje Zoti do të jetë madhështor për ne,
në atë tokë ku rrjedhin lumenj me degë të gjera.
Anije me rrema atje s’do të kalojnë,
anije të mëdha s’do të lundrojnë.
22 Se Zoti është gjykatësi ynë,
Zoti është ligjdhënësi ynë,
Zoti është mbreti ynë,
ai do të na shpëtojë.
23 Litarët e tu janë liruar,
direkun tënd s’e mbajnë dot,
dhe velin nuk ta ndehin.
Atëherë plaçka e shumtë do të ndahet,
do të marrin deri edhe të çalët.
24 Asnjë nga banorët s’do të thotë: «Jam sëmurë».
Popullit që banon atje, do t’i falet paudhësia.