Rregulla shenjtërimi
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Fol me mbarë bashkësinë e izraelitëve e thuaju: jini të shenjtë, se unë, Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë. 3 Secili prej jush ta nderojë të ëmën e të atin. Mbajini të shtunat e mia. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. 4 Mos u ktheni tek idhujt e rremë e mos bëni për vete shtatore idhujsh. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
5 Kur t’i kushtoni Zotit fli paqtimi, kushtoni siç duhet, që të pranoheni prej tij. 6 Flija të hahet ditën që është kushtuar ose të nesërmen, por ç’të mbetet për të pasnesërmen, të digjet në zjarr. 7 Nëse hahet të pasnesërmen, është mish i papastër dhe nuk do të pranohet. 8 Kush ha, të mbajë mbi vete fajin, sepse ka përdhosur gjënë e shenjtë të Zotit. Ai njeri të zhbihet prej popullit të vet. 9 Kur të korrni prodhimet e tokës suaj, mos e korrni deri në skaj të arës. Kallinjtë që kanë rënë, mos i mblidhni. 10 Mos kalo sërish nëpër vresht për të mbledhur vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri për të varfrin e për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
11 Mos vidhni e mos gënjeni. Mos e mashtroni njëri-tjetrin. 12 Mos bëni betim të rremë në emrin tim, duke përdhosur kështu emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti.
13 Mos përfito prej të afërtit e mos i rrëmbe gjë. Fitimin e mëditësit mos e mbaj deri në mëngjes. 14 Mos e mallko të shurdhrin e mos i vër pengesa të verbrit, por druaje Perëndinë tënd. Unë jam Zoti.
15 Mos bëni padrejtësi nëpër gjyqe. Mos mbaj anën e të varfrit e mos e përkrah të fortin, por gjykoje të afërtin me drejtësi. 16 Mos përhap shpifje nëpër popull e mos merr pjesë në gjakderdhje kundër të afërtit tënd. Unë jam Zoti.
17 Mos e urre në zemër vëllanë tënd, por qortoje të afërtin, që të mos mbash barrën e mëkatit të tij. 18 Mos merr hak e mos mbaj mëri me bijtë e popullit tënd. Duaje të afërtin si veten. Unë jam Zoti.
19 Mbajini vendimet e mia! Mos mbarështo kafshë të llojeve të ndryshme, arën mos e mbill me farëra të ndryshme e mos vish rroba të bëra me dy lloje stofesh. 20 Nëse një burrë bie në shtrat me një skllave të fejuar me një burrë tjetër, por që nuk është shpenguar apo nuk i është dhënë liria, le të ndëshkohen, por të mos vriten, sepse ajo nuk ishte e lirë. 21 Ai burrë t’i sjellë Zotit, si fli për fajin, një dash te hyrja e tendës së takimit. 22 Me dashin e flisë për fajin, prifti të kryejë për të para Zotit shlyerjen për mëkatin dhe atij do t’i falet mëkati që ka bërë.
23 Kur të keni hyrë në tokën tuaj e të keni mbjellë lloje të ndryshme pemësh frutore, mbajini frutat e tokës si të ndaluaraç. Për tre vjet do t’i keni të ndaluara e nuk do t’i hani. 24 Vitin e katërt të gjitha frutat e saj të shenjtërohen për Zotin si fli lavdërimi. 25 Vetëm vitin e pestë mund t’i hani frutat e saj, që prodhimi t’ju shtohet. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
26 Mos hani asgjë me gjak. Mos ushtroni as shortarinë, as magjinë. 27 Mos i qethni rrumbullak flokët e mos e shkurtoni mjekrën. 28 Mos e çirrni trupin për të vdekurit e mos mbishkruani asnjë figurinë mbi lëkurë. Unë jam Zoti.
29 Mos e çndero tët bijë, duke e bërë lavire, që vendi të mos jepet pas kurvërisë e të mos mbushet me fëlligështi. 30 Mbajini të shtunat e mia dhe druajeni shenjtëroren time. Unë jam Zoti.
31 Mos u jepni pas atyre që thërrasin shpirtra të vdekurish e pas yshtësve, që të mos bëheni të papastër prej tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. 32 Ngrihuni në këmbë para flokëthinjurve, nderojeni të moshuarin dhe druajeni Perëndinë tuaj. Unë jam Zoti.
33 Nëse një i huaj vjen të banojë me ju në tokën tuaj, mos e trajtoni keq. 34 Të huajin që banon me ju mbajeni si vendasin dhe duajeni si veten, sepse edhe ju keni qenë të huaj në tokën e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
35 Mos bëni padrejtësi në gjyqe, në masat e gjatësisë, të peshës e të vëllimit. 36 Masat e peshoret t’i keni të sakta, efahun e hinin aq sa duhen. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit.
37 Mbajini të gjitha rregullat e mia dhe të gjitha vendimet e mia e zbatojini ato. Unë jam Zoti».