2 Mbretërve 15

Mbretërimi i Azarjahut në Judë

Në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Jeroboamit në Izrael, Azarjahu, biri i Amacjahut, u bë mbret i Judës. Azarjahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur u bë mbret dhe sundoi pesëdhjetë e dy vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jeholia dhe ishte nga Jerusalemi. Azarjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Amacjahu. Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime dhe temjan në to. Zoti e goditi mbretin me sëmundjen e lebrës, e cila nuk iu shërua derisa vdiq. Mbreti banoi në një shtëpi të veçuar, ndërsa mbikëqyrjen e pallatit mbretëror dhe gjykimin e popullit të vendit e mori përsipër i biri, Jotami. Bëmat e tjera të Azarjahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Azarjahu u preh me paraardhësit e tij dhe populli e varrosi bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotami.

Mbretërimi i Zakarisë në Izrael

Në vitin e tridhjetetetë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Zakaria, biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi vetëm gjashtë muaj në Samari. Zakaria bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishin bërë edhe paraardhësit e tij, dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. 10 Shalumi, biri i Jabeshit, ngriti krye kundër Zakarisë, e goditi, e vrau para popullit dhe u bë vetë mbret në vend të tij. 11 Bëmat e tjera të Zakarisë janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 12 Kështu u përmbush fjala që Zoti i kishte thënë Jehut, se pasardhësit e tij do të rrinin në fronin e Izraelit deri në brezninë e katërt. Dhe ashtu ndodhi.

Mbretërimi i Shalumit në Izrael

13 Në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të Uziahutd në Judë, Shalumi, biri i Jabeshit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi vetëm një muaj në Samari. 14 Menahemi, biri i Gadit, marshoi nga Tircahu në Samari, ku e sulmoi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij. 15 Bëmat e tjera të Shalumit dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 16 Asokohe Menahemi u nis nga Tircahu dhe sulmoi Tifsahun me gjithë rrethina, sepse nuk i kishin hapur portat. Ai vrau edhe të gjitha gratë shtatzëna e u çau barkun.

Mbretërimi i Menahemit në Izrael

17 Në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Menahemi, biri i Gadit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi dhjetë vjet në Samari. 18 Menahemi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe, sa qe gjallë, nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. 19 Puli, mbreti i Asirisë, sulmoi vendin dhe Menahemi i dha tridhjetë tonë argjend, që Puli ta përkrahte dhe t’ia bënte mbretërimin më të fortë. 20 Argjendin për mbretin e Aramit Menahemi e mblodhi nga populli i Izraelit. Të gjithë fisnikët e pasur duhej të paguanin secili nga pesëdhjetë monedha argjendi. Kështu, mbreti i Asirisë u kthye në vendin e tij dhe nuk qëndroi në Izrael. 21 Bëmat e tjera të Menahemit dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 22 Menahemi u preh me paraardhësit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu.

Mbretërimi i Pekahiahut në Izrael

23 Në vitin e pesëdhjetë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Pekahiahu, biri i Menahemit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për dy vjet në Samari. 24 Pekahiahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. 25 Kundër Pekahiahut u ngrit Pekahu, biri i Remaliahut, kreu i ushtrisë, dhe e goditi për vdekje në Samari, në fortesën e pallatit mbretëror. Bashkë me Pekahun ishin pesëdhjetë luftëtarë të Gileadit, si edhe Argobi dhe Ariehu. Pekahu e vrau Pekahiahun dhe mbretëroi vetë në vend të tij. 26 Bëmat e tjera të Pekahiahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

Mbretërimi i Pekahut në Izrael

27 Në vitin e pesëdhjetedytë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Pekahu, biri i Remaliahut, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për njëzet vjet në Samari. 28 Pekahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat.

29 Në kohën e Pekahut, mbretit të Izraelit, erdhi Tiglat Pileseri, mbreti i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel Bet Makahun, Janoahun, Kedeshin, Hacorin, Gileadin, Galilenë e mbarë tokat e Neftaliut. Banorët e tyre i degdisi në Asiri. 30 Kundër Pekahut, birit të Remaliahut, u ngrit Hosea, biri i Elahut, e goditi, e vrau dhe u bë vetë mbret në vend të tij, në vitin e njëzetë të Jotamit, birit të Uziahut. 31 Bëmat e tjera të Pekahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

Mbretërimi i Jotamit në Judë

32 Në vitin e dytë të mbretërimit të Pekahut, birit të Remaliahut, në Izrael, Jotami, biri i Uziahut, u bë mbret i Judës. 33 Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jerusha dhe ishte e bija e Cadokut. 34 Jotami bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Uziahu. 35 Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to. Jotami ndërtoi Portën e Epërme të tempullit të Zotit36 Bëmat e tjera të Jotamit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 37 Në kohën e Jotamit, Zoti filloi të dërgojë kundër Judës Recinin, mbretin e Aramit, dhe Pekahun, birin e Remaliahut. 38 Jotami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ahazi.


 d15.13 të tjerë: Azarjahut