Jobi 22

Elifazi e shpall Jobin fajtor

Elifazi u përgjigj e tha:

«A i duhet gjë njeriu Perëndisë?

A i duhet gjë atij i urti?

Ç’dobi i sjell të gjithëpushtetshmit nëse je i drejtë?

Ç’fiton ai me sjelljen tënde të përkryer?

Mos vallë të ndëshkon ngaqë i druhesh?

Prandaj hap gjyq ai me ty?

A nuk janë të shumta paudhësitë e tua?

A nuk janë pa fund ligësitë e tua?

Vëllait tënd i mbajte peng pa shkak,

edhe të zhveshurit i rrope.

Të molisurit ujë s’i dhe të pijë,

të uriturit bukë s’i dhe të hajë.

Të fortit tokën ia dhe

e në të banon kush gjen përkrahje.

Të vejat i dëbove duarzbrazur

e jetimëve ua theve krahët.

10 Prandaj të rrethojnë leqet

e tmerri të zë papritur,

11 ose terri që të lë pa parë

e vërshimi i ujërave të përmbyt.

12 A nuk është Perëndia lart në qiell?

Shiko sa lart janë yjet më të larta.

13 E ti thua: “Çfarë di Perëndia?

A mund të gjykojë në mes të terrinës?

14 E kanë mbështjellë retë, ndaj nuk sheh,

ai që shëtit mbi kupë të qiellit”.

15 A do të ndjekësh udhën e lashtë,

ku shkelën njerëzit e paudhë?

16 Ata u rroposën para kohe,

themelin ua rrëmbeu lumi.

17 I thanë Perëndisë: “Larg nesh!

Çfarë mund të na bëjë i gjithëpushtetshmi?”.

18 Ai ua mbushte shtëpitë me të mira,

por larg meje këshilli i të paudhëve.

19 Të drejtët shohin e gëzohen

e të pafajshmit me ta tallen:

20 “A nuk u shuan armiqtë tanë?

Pasurinë ua përpiu zjarri”.

21 Pajtohu me Perëndinë e bëj paqe,

se kështu do të të vijë e mbara.

22 Prano mësimin prej gojës së tij

e fjalët e tij në zemër mbaji.

23 Nëse kthehesh kah i gjithëpushtetshmi,

do të ndreqesh.

Nëse e heq ligësinë nga tenda,

24 nëse ari pluhur do të të duket

e zall lumenjsh ari i Ofirit,

25 i gjithëpushtetshmi do të jetë ari yt,

pirgu i argjendit tënd.

26 Atëherë me të gjithëpushtetshmin do të kënaqesh

e kah Perëndia do ta kthesh shikimin.

27 Do t’i lutesh e ai do të të dëgjojë

e do t’i përmbushësh kushtet e tua.

28 Do të vendosësh për diçka e do të kryhet

e drita do të shndrisë në udhën tënde.

29 Kur njerëzit poshtërohen ti thua është nga krenariadh,

se Perëndia të përulurin shpëton.

30 Ai do të çlirojë edhe kë s’është i pafajshëm,

falë duarve të tua të pastra do të çlirohet».


 dh22.29 ose: ti thua ngrihu