Rregulla për flitë
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Fol me Aronin, me bijtë e tij dhe me të gjithë izraelitët e thuaju: kështu ka urdhëruar Zoti: 3 “Cilido izraelit që ther një ka, një qengj apo një cjap brenda apo jashtë fushimit, 4 pa e sjellë te hyrja e tendës së takimit për t’ia paraqitur si kushtim Zotit, të mbahet fajtor për gjakderdhje dhe të zhbihet prej popullit të vet, 5 që izraelitët të mos i kushtojnë flitë e tyre nëpër fusha, por t’i sjellin para priftit e t’ia paraqesin Zotit te hyrja e tendës së takimit e t’ia kushtojnë Zotit si fli paqtimi. 6 Prifti ta spërkatë gjakun mbi altarin e Zotit në hyrje të tendës së takimit, ndërsa dhjamin ta djegë si fli erëkëndshme për Zotin. 7 Kështu, ata nuk do t’ua kushtojnë më flitë e tyre idhujve në trajtë cjapi, me të cilët kurvërojnë. Ky është rregull i përhershëm për ta e për të gjitha breznitë”.
8 Po ashtu thuaju: “Cilido izraelit apo cilido i huaj, që banon me ta, që kushton fli shkrumbimi apo ndonjë fli tjetër, 9 pa e paraqitur te hyrja e tendës së takimit, për t’ia kushtuar Zotit, të zhbihet prej popullit.
10 Unë do të kthehem kundër cilitdo izraeliti apo të ardhuri mes tyre që ha gjak e do ta zhbij prej popullit të vet. 11 Jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj. Prandaj jua kam dhënë ta vini mbi altar për të kryer shlyerjen për veten tuaj. Gjaku është jetë, prandaj shlyen. 12 Për këtë u kam thënë izraelitëve: askush prej jush të mos hajë gjak dhe askush prej të huajve mes jush të mos hajë gjak.
13 Nëse ndonjëri prej izraelitëve apo prej atyre që banojnë me ta shkon për gjueti dhe zë ndonjë kafshë apo shpend që mund të hahet, t’ia derdhë gjakun dhe ta mbulojë me dhe. 14 Jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj. Prandaj, i kam urdhëruar izraelitët të mos e hanë gjakun e asnjë gjallese, sepse jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj dhe ai që ha gjak do të zhbihet.
15 Cilido vendas apo i ardhur që ha mishin e një bagëtie të ngordhur apo të shqyer nga kafshët e egra, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Mandej do të jetë i pastër. 16 Nëse nuk i lan rrobat e nuk lahet vetë, atëherë do të mbartë mbi vete paudhësinë e vet”».