Mateu 16

Një shenjë

(Mk 8.11-13; Lk 12.54-56)

Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. oJu që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre.

Tharmi i farisenjve dhe saducenjve

(Mk 8.14-21)

Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? 10 Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? 11 Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». 12 Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.

Pohimi i Pjetrit

(Mk 8.27-30; Lk 9.18-21)

13 Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». 14 Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». 15 Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». 16 Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». 17 Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! 18 Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. 19 Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». 20 Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.

Paralajmërimi i parë i Pashkës

(Mk 8.31—9.1; Lk 9.22-27)

21 Që nga ajo kohë, Jezui filloi t’u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. 22 Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». 23 Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». 24 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë. 26 Ç’dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 27 Biri i njeriut do të vijë me engjëjt e tij në lavdinë e Atit të vet dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas veprave të veta. 28 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do të provojnë vdekjen pa e parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij».


 o16.3 dorëshk. të tjera edhe: Hipokritë