Pjesa e shenjtë
1 «Kur ta ndani tokën si trashëgimi, duhet t’i kushtoni Zotit një pjesë të shenjtë prej tokës, njëzet e pesë mijë kute të gjatë e njëzet mijë të gjerë. Ajo do të jetë e shenjtë gjithandej, skaj më skaj. 2 Prej saj do t’i lihet shenjtërores një katror pesëqind kute me pesëqind, me një hapësirë të lirë përreth prej pesëdhjetë kutesh. 3 Nga kjo përmasë do të matësh një njësi me gjatësi njëzet e pesë mijë kute dhe me gjerësi dhjetë mijë kute, ku do të jetë shenjtërorja, shenjtërorja e shenjtëroreve. 4 Kjo pjesë e shenjtë nga toka do t’u takojë priftërinjve që shërbejnë në shenjtërore, të cilët do të afrohen për t’i shërbyer Zotit. Ky vend do t’u nevojitet për shtëpitë e tyre dhe si vend i shenjtë për shenjtëroren. 5 Njëzet e pesë mijë kute gjatësi me dhjetë mijë kute gjerësi do t’u jepet levitëve, të cilët shërbejnë në tempull, si pronë për qytete banimie. 6 Si pronë të qytetit do të jepni pesë mijë kute gjerësi me njëzet e pesë mijë kute gjatësi pranë shenjtërores. Ajo do t’i përkasë mbarë shtëpisë së Izraelit.
Pjesa e princit
7 Princit do t’i jepet në pronësi një pjesë nga të dyja anët e vendit të shenjtë, pronësia e qytetit përgjatë vendit të shenjtë dhe pronësia e qytetit në perëndim e në lindje, me gjatësi sa njëra pjesë nga kufiri perëndimor te kufiri lindor. 8 Kjo do të jetë toka e tij, prona e tij në Izrael, e kështu princat e mi nuk do ta shtypin popullin tim, por do t’ia lënë tokën shtëpisë së Izraelit, sipas fiseve.
9 Kështu thotë Zoti im, Zoti: mjaft, o princa të Izraelit! Flakeni dhunën e mujshinë dhe zbatoni të drejtën e drejtësinë. Hiqeni tagrin tuaj nga populli im, kumton Zoti im, Zoti. 10 Mbani peshore të drejta, efah të drejtë e bat të drejtë. 11 Efahu dhe bati duhet të kenë të njëjtën masë. Bati duhet të mbajë një të dhjetën e homerit dhe efahu një të dhjetën e homerit. Sipas homerit duhet ta kenë masën. 12 Sikla duhet të jetë njëzet monedha. Një minë duhet ta keni njëzet monedha, shto njëzet e pesë monedha, shto pesëmbëdhjetë sikla.
13 Kjo do të jetë pjesa që do të merrni: një të gjashtën e efahut për çdo homer drithi dhe një të gjashtën e efahut për çdo homer elbi. 14 Rregulli për vajin, që matet me bat, është një e dhjeta e batit për çdo kor. Dhjetë batë bëjnë një homer, sikurse dhjetë batë janë një homer. 15 Një dele për çdo tufë me dyqind krerë, nga kullotat e njoma të Izraelit, për fli drithi, për fli shkrumbimi dhe për fli paqtimi, do të kryejë shlyerjen për ta, kumton Zoti im, Zoti. 16 Mbarë populli i vendit duhet t’ia japë këtë pjesë princit të Izraelit. 17 I takon princit të dhurojë flitë e shkrumbimit, kushtimet dhe flitë e stërpikjes për festat, për muajt, për të shtunat dhe të gjitha festat e shtëpisë së Izraelit. Ai do ta dhurojë flinë për mëkatin, flinë e drithit, flinë e shkrumbimit dhe flinë e paqtimit për të kryer shlyerjen për shtëpinë e Izraelit.
Festat
18 Kështu thotë Zoti im, Zoti: ditën e parë të muajit të parë do të marrësh një mëzat të patëmetë dhe do të pastrosh shenjtëroren. 19 Prifti do të marrë ca gjak prej flisë për mëkatin e do ta vendosë në shtalkat e tempullit, në katër qoshet e kornizës së altarit dhe në shtalkat e portave të tremes së brendshme. 20 Kështu do të veprojë më shtatë të muajit, për këdo që ka mëkatuar gabimisht apo nga padija. Kështu do ta shlyeni tempullin. 21 Muajin e parë, në ditën e katërmbëdhjetë të muajit, do të jetë Pashkë për ju, festë shtatëditore. Do të hani bukë të ndorme. 22 Atë ditë princi do të kushtojë një mëzat si fli mëkati, për vete dhe për mbarë popullin e vendit. 23 Në të shtata ditët e festës do të sjellë flinë e shkrumbimit për Zotin, shtatë mëzatë e shtatë desh të patëmetë secilën ditë dhe nga një cjap si fli mëkati çdo ditë. 24 Do të dhurojë nga një efah drithë për mëzat e nga një efah për dash, me nga një hin vaj për çdo efah. 25 Në muajin e shtatë, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, për të shtata ditët e festës do të sjellë të njëjtat kushtime si këto, si për flitë për mëkatin, si për flitë e shkrumbimit, si për flitë e drithit, ashtu edhe për vajin».