Titit 1

Përshëndetje

Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t’u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë e për t’u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë, që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m’u besua sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë.

Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët: hiri dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, shpëtimtari ynë, qofshin me ty!

Puna e Titit në Kretë

Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara e të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova.

Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t’i ketë fëmijët besimtarë që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje.

Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo përbuzës, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme. Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë e i matur. Ai duhet t’i qëndrojë besnik fjalës së besueshme të mësimit që mori, që të jetë i aftë të këshillojë të tjerët me mësimin e shëndoshë e të bindë ata që e kundërshtojnë.

10 Në të vërtetë ka shumë të pabindur, dërdëllitës e mashtrues, veçanërisht mes besimtarëve të rrethprerë. 11 Atyre u duhet mbyllur goja, sepse për të përfituar në mënyrë të pandershme po shkatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar njerëzve gjëra që nuk duhen. 12 Njëri nga ata, njëri nga profetët e tyre, ka thënë: «Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, shtazarakë të ligj dhe grykës përtacë».

13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Prandaj qortoji rreptë që të jenë të shëndetshëm në besim, 14 pa përfillur përrallat e judenjve dhe urdhërimet e njerëzve që shtrembërojnë të vërtetën.

15 Të gjitha gjërat janë të pastra për të pastrit, por për të ndoturit e të pafetë asgjë nuk është e pastër. Atyre u është ndotur edhe mendja, edhe ndërgjegjja. 16 Pohojnë se e njohin Perëndinë, por me veprat e tyre e mohojnë duke qenë të neveritshëm, të pabindur e të paaftë për ndonjë vepër të mirë.