Shkatërrimi i Ninivës
1 b «Ja, mbi male,
këmba e kasnecit,
e atij që paqen shpall.
Kremtoji festat, o Judë,
përmbushi zotimet e tua,
se i poshtri nuk do të të pushtojë më,
ai mori fund krejt.
2 Shpartalluesi po vjen kundër teje.
Ruaji kullat, vrojtoje udhën,
ngjishi ijët e mblidhe tërë fuqinë.
3 Se Zoti ia ktheu lavdinë Jakobit,
ia ktheu lavdinë Izraelit,
ndonëse grabitësit i bastisën
e të mbjellat ua rrënuan.
4 Shqytet e trimave kuqëlojnë,
luftëtarët në kërmëz vezullojnë.
Karrocat flakërojnë,
kur për luftë i rreshton,
heshtatc i fërgëllojnë.
5 Të tërbuara, karrocat rrugëve vërshojnë,
lart e poshtë shesheve vrapojnë.
Duken porsi rrufeja,
turren porsi shkreptima.
6 I mbledh prijësit,
por rrugës ata pengohen.
Drejt mureve armiqtë shpejtojnë,
dashi gati u bë.
7 U hapën portat e lumenjve,
pallati mbretëror u drodh.
8 Ninivënç e zhveshën, e rrëmbyen,
shërbëtoret e saj vajtojnë,
gugatin porsi pëllumba,
gjoksin rrahin fort.
9 Niniva është si liqeni
ujid i të cilit shteron.
“Ndaluni! Ndaluni!”.
Por askush nuk kthehet mbrapsht.
10 Rrëmbeni argjend!
Rrëmbeni ar!
Thesaret nuk kanë fund,
përplot me sende të çmuara.
11 Bastisje, plaçkitje e shkatërrim!
Zemra mpaket, gjunjët dridhen, shtati ngjethet,
fytyrat e të gjithëve zverdhen.
12 Ç’po ndodh me këtë strofull luanësh,
me këtë shpellë këlyshësh luani?
Ku luani, luanesha e pjella e tyre
bridhnin pa u trazuar.
13 Ku luani shqyente mjaftueshëm për këlyshët
e pre për luaneshat sillte.
E mbushte shpellën me pre,
strofullin me mish të shqyer.
14 “Ja, jam kundra teje!”, kumton Zoti.
Do të t’i djeg qerret, tym do të t’i bëj,
shpata do t’i përpijë këlyshët e luanëve të tu.
Do ta zhduk prej faqes së dheut prenë që zure,
kasnecëve të tu kurrë s’do t’u dëgjohet zëri».