Naumi 3

Mjerë Niniva

«Mjerë qyteti gjakatar,

i tëri mashtrim,

përplot me plaçkitje,

nuk i ndahen bastisjet.

Frushkulli fërshëllen,

rrotat rrapëllojnë.

Kali vrapon,

karroca tundet.

Kalorësi vërsulet,

shpata vezullon,

heshta shkreptin.

Mori të vrarësh,

pirg kufomash,

të vdekur pa fund,

aq sa pengohen,

kur ecin mes tyre,

për shkak të kurvërimit pa fund të lavires,

të bukuroshes magjepsëse,

të mjeshtres së shortarisë,

që me kurvëri e shortari,

skllavëron kombe e fise.

Ja, jam kundra teje, kumton Zoti i ushtrive.

Deri në fytyrë fundin do të ta ngre,

që të të shohin kombet lakuriq

e mbretëritë me turp.

Do të të mbuloj me neveri,

do të të përçmoj

e shembull do të të bëj.

Kushdo që do të të shohë,

do të zmbrapset e do të thotë:

“Niniva u shkretua

e askujt nuk i vjen keq.

Ngushëllues s’kam ku t’i gjej”.

A mos je më e mirë se No Amoni,

që shtrihej buzë Nilit e ujërat e rrethonin,

ku detin kishte si ledh e ujërat për mur?

Prej Kushit e prej Egjiptit rridhte forca e tij.

Ajo s’kishte kufi.

Puti e Libani ishin përkrahësit e tij.

10 Por edhe ai u shpërngul,

vajti në robëri.

Copë e çikë iu bënë fëmijët

në çdo qoshe rruge.

Short u hodh për fisnikët e tij,

tërë paria në pranga ra.

11 Edhe ti do të dehesh, do të tkurresh.

Edhe ti prej armiqve do të kërkosh strehim.

12 Si fiqtë e arrirë

janë tërë fortesat e tua.

Në i shkundsh,

në gojë të bien.

13 Ja, ushtria jote,

ushtri grash.

Portat e vendi iu hapën krejt armiqve,

shulat e tyre zjarri i përpiu.

14 Nxirr ujë për rrethim,

forcoji fortesat,

shko në baltë,

ngjish argjilë,

bëj tulla.

15 Edhe aty do të të përpijë zjarri,

shpata do të të shfarosë.

Do të të përpijë porsi vemja.

Shumohu porsi vemja,

shumohu porsi karkaleci.

16 I shtove tregtarët porsi yjet e qiellit,

porsi vemja që shndërrohet e fluturon.

17 Oborrtarët i ke porsi karkaleca,

zyrtarët si mori karkalecash.

Prehen mbi mure në ditë të ftohtë,

ikin kur lind dielli

pa ditur askush se ku.

18 O mbreti i Asirisë,

po të drobisin barinjtë,

fisnikët po të koten,

populli nëpër male po të shpërndahet

e s’ka kush t’i mbledhë.

19 Shërim s’ka për plagën tënde,

je lënduar rëndë.

Kush për ty dëgjon, duartroket,

se mizorisë tënde askush nuk i shpëtoi».