1 Fjala e Zotit drejtuar Mikesë nga Morashtiu në ditët e Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës; vegimi që pati për Samarinë e Jerusalemin.
Vaj për Samarinë dhe Jerusalemin
2 «Dëgjoni, o mbarë popuj,
mba vesh, o tokë, e tërë ju që jeni mbi të,
se Zoti, Zoti im, do të dëshmojë kundër jush,
Zoti im, prej tempullit të tij të shenjtë!
3 Ja, po del Zoti nga vendi i tij,
do të zbresë e do të shkelë mbi kreshtat e tokës.
4 Malet do të shkrihen nën të,
luginat do të ndahen më dysh,
porsi dylli para zjarrit,
porsi uji që derdhet rrëpirës,
5 krejt për faj të shkeljeve të Jakobit
e mëkateve të shtëpisë së Jerusalemit.
A nuk është Samaria shkelja e Jakobit?
A nuk janë vendet e larta të Judës Jerusalemi?
6 Gërmadhë do ta bëj Samarinë,
vend ku mbillen vreshta.
Do t’ia rrokullis gurët nëpër lugina,
themelet do t’ia nxjerr!
7 Do t’i rrënohen tërë shëmbëlltyrat që ka,
shpërblimi do t’i digjet në zjarr.
Do t’ia shkatërroj të gjitha idhujt,
se prej pagës së lavires i mblodhi
e për pagë lavireje do të shkojnë.
8 Për këtë do të vajtoj e do të vë kujë,
do të eci këmbëzbathur e lakuriq,
do të ulërij porsi çakalli,
do të klith porsi struci,
9 se plaga e saj është e pashërueshme,
mbërriti deri në Judë,
i kaploi portat e popullit tim,
deri në Jerusalem.
10 Mos tregoni gjë në Gat, as mos vajtoni,
në Betleafrah zvarrituni në pluhur.
11 O banorë të Safirit,
ikni të turpëruar e lakuriq.
Banorët e Cananit nuk dolën.
Vajton Betezeli,
nuk do ta keni më për ndihmë.
12 Banorët e Marotit presin me ngashërim,
se mbi portat e Jerusalemit Zoti dërgoi fatkeqësi.
13 Mbrehini kuajt në karroca,
o banorë të Lakishit!
Shkak mëkati ishe për bijën e Sionit,
te ti u gjend shkelja e Izraelit.
14 Ndaj dërgoji Moreshgatit
dhuratë lamtumire.
Do të zhgënjehen mbretërit e Izraelit
me shtëpitë e Akzibit.
15 Do të sjell sërish një pushtues
te ju, o banorë të Mareshahut.
Në Adulam do të shkojë
nderi i Jerusalemit.
16 Qethe e rruaje kokën
për fëmijët e tu të dashur.
Bëje kokën shogë porsi shqiponja,
se në mërgim do të të ikin».