Jonai në Ninivë
1 Zoti i foli për herë të dytë Jonait e i tha: 2 «Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoji çfarë po të them». 3 Atëherë Jonai u ngrit e shkoi në Ninivë, siç i kishte thënë Zoti. Niniva ishte një qytet aq i madh, saqë duheshin tri ditë udhë për ta përshkuar. 4 Jonai bëri një ditë udhë nëpër qytet duke thirrur: «Edhe dyzet ditë dhe Niniva shkatërrohet!».
5 Atëherë banorët e Ninivës besuan në Perëndinë, shpallën agjërim e u veshën me grathore, nga më i madhi e deri te më i vogli. 6 Kur fjala i vajti në vesh mbretit të Ninivës, ai u ngrit nga froni, hoqi gunën, u vesh me grathore dhe u ul në hi. 7 Nxori edhe një lajmërim në Ninivë ku thuhej: «Me dekret të mbretit e të fisnikëve të tij, asnjë njeri apo kafshë, tufë apo kope, të mos vërë gjë në gojë, të mos hajë e as ujë të mos pijë. 8 Njerëzit e kafshët të vishen me grathore e t’i thërrasin fort Perëndisë për ndihmë. Secili të kthehet nga udha e tij e ligë dhe nga dhuna që bën. 9 Kush e di! Ndoshta Perëndia ndërron mendje, zbutet dhe heq dorë nga zemërimi i tij i madh e kështu nuk marrim fund».
10 Perëndia pa se çfarë bënë banorët e Ninivës dhe si u kthyen nga udha e tyre e ligë. Atëherë Perëndia u zbut për të keqen që kishte thënë se do t’u bënte dhe nuk e bëri.