Habakuku 1

Vegimi që pa profeti Habakuk.

Profeti

«O Zot, për sa kohë do të të thërras

e ti nuk do të dëgjosh?

Për sa kohë do të klith: “Dhunë!”

e ti nuk do të ndërhysh?

Përse më bën të shoh padrejtësi,

përse rri e vrojton prapësinë?

Para kam shkatërrim e dhunë,

dalin grindje e zënka.

Ndaj dhe ligji zbehet,

kurrë nuk del në pah e drejta.

Ndaj shtrembërohet drejtësia

dhe i mbrapshti të drejtin rrethon.

Shikoni mes kombeve e vrojtoni,

habituni e mrekullohuni,

se po bëj diçka në ditët tuaja,

s’do ta besoni kur t’jua tregojnë.

Ja, po ngre kaldenjtë,

një komb i vrazhdë e i rrëmbyer,

që kryq e tërthor tokës i bie,

për të zaptuar banesat që nuk i takojnë.

I tmerrshëm e i frikshëm është ai,

bën ligjin dhe nderin e vendos vetë.

Kuajt i ka më të shpejtë se leopardi,

më të egër se ujqit e natës.

Kalorësit e tij kalërojnë,

prej larg vijnë ata.

Lëshohen porsi shqiponja

që prenë e përpin vetëtimthi.

Të gjithë ata dalin për dhunë,

mori fytyrash vërshojnë

e robër mbledhin porsi rërë.

10 Mbretërit i përqesh,

prijësit i qesëndis,

zgërdhihet me çdo fortesë,

se ngre pirgje dhe i pushton.

11 Vërshon si era e kalon tej,

është fajtor, se forcën ka për perëndi.

12 Zot, ti që je prej fillimit,

Perëndia im, i shenjti im i pavdekshëma.

Zot, për të gjykuar e caktove,

o Shkëmb, për të ndëshkuar e vendose.

13 Sytë e tu janë tepër të pastër

për ta parë ligësinë

e prapësinë nuk e vrojtojnë dot.

Përse i vrojton të pabesët,

përse hesht kur i mbrapshti përpin të drejtin.

14 E bëre njerëzinë si peshqit e detit,

si zvarranikët, që s’kanë zot mbi vete.

15 Kaldeu i gjuan të gjithë me grep,

i tërheq me rrjetën e vet

e me tratë i mbledh krejt,

ndaj gëzohet e galdon,

16 ndaj i flijon rrjetës së vet,

i djeg temjan tratës së vet,

se falë tyre merr pjesë të majme,

ushqim të shijshëm ha.

17 Mos për këtë do të vijojë rrjetën ta zbrazëb

e popujt pa fund t’i vrasë?».


 a1.12 të tjerë: ne nuk do të vdesim

 b1.17 të tjerë: shpatën e nxjerr