1 Vegimi që pa profeti Habakuk.
Profeti
2 «O Zot, për sa kohë do të të thërras
e ti nuk do të dëgjosh?
Për sa kohë do të klith: “Dhunë!”
e ti nuk do të ndërhysh?
3 Përse më bën të shoh padrejtësi,
përse rri e vrojton prapësinë?
Para kam shkatërrim e dhunë,
dalin grindje e zënka.
4 Ndaj dhe ligji zbehet,
kurrë nuk del në pah e drejta.
Ndaj shtrembërohet drejtësia
dhe i mbrapshti të drejtin rrethon.
5 Shikoni mes kombeve e vrojtoni,
habituni e mrekullohuni,
se po bëj diçka në ditët tuaja,
s’do ta besoni kur t’jua tregojnë.
6 Ja, po ngre kaldenjtë,
një komb i vrazhdë e i rrëmbyer,
që kryq e tërthor tokës i bie,
për të zaptuar banesat që nuk i takojnë.
7 I tmerrshëm e i frikshëm është ai,
bën ligjin dhe nderin e vendos vetë.
8 Kuajt i ka më të shpejtë se leopardi,
më të egër se ujqit e natës.
Kalorësit e tij kalërojnë,
prej larg vijnë ata.
Lëshohen porsi shqiponja
që prenë e përpin vetëtimthi.
9 Të gjithë ata dalin për dhunë,
mori fytyrash vërshojnë
e robër mbledhin porsi rërë.
10 Mbretërit i përqesh,
prijësit i qesëndis,
zgërdhihet me çdo fortesë,
se ngre pirgje dhe i pushton.
11 Vërshon si era e kalon tej,
është fajtor, se forcën ka për perëndi.
12 O Zot, ti që je prej fillimit,
Perëndia im, i shenjti im i pavdekshëma.
O Zot, për të gjykuar e caktove,
o Shkëmb, për të ndëshkuar e vendose.
13 Sytë e tu janë tepër të pastër
për ta parë ligësinë
e prapësinë nuk e vrojtojnë dot.
Përse i vrojton të pabesët,
përse hesht kur i mbrapshti përpin të drejtin.
14 E bëre njerëzinë si peshqit e detit,
si zvarranikët, që s’kanë zot mbi vete.
15 Kaldeu i gjuan të gjithë me grep,
i tërheq me rrjetën e vet
e me tratë i mbledh krejt,
ndaj gëzohet e galdon,
16 ndaj i flijon rrjetës së vet,
i djeg temjan tratës së vet,
se falë tyre merr pjesë të majme,
ushqim të shijshëm ha.
17 Mos për këtë do të vijojë rrjetën ta zbrazëb
e popujt pa fund t’i vrasë?».