1 I ra trumbetës engjëlli i pestë. Atëherë pashë një yll që kishte rënë nga qielli në tokë. Atij iu dha çelësi i pusit të humnerës. 2 Ai hapi pusin e humnerës dhe prej tij doli tym si tymi i një furre të madhe. Dielli dhe ajri u errësuan nga tymi i pusit. 3 Nga tymi dolën karkaleca mbi tokë dhe atyre iu dha e njëjta fuqi si fuqia e akrepave. 4 Atyre iu tha të mos dëmtonin bimët, as barin dhe as pemët e tokës, por vetëm njerëzit që nuk e kanë vulën e Perëndisë në ballë. 5 Dhe iu dha urdhër të mos i vrasin njerëzit, por t’i mundojnë për pesë muaj. Dhimbja që i mundonte ishte si dhimbja e pickimit të akrepit. 6 Gjatë atyre ditëve njerëzit do ta kërkojnë vdekjen dhe nuk do ta gjejnë. Do të duan të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.
7 Nga pamja karkalecat ngjanin me kuaj të bërë gati për luftë dhe në kokë mbanin diçka si kurora të arta. Fytyrat i kishin si fytyra njerëzish. 8 Flokët i kishin si flokë grash, ndërsa dhëmbët si dhëmbë luanësh. 9 Në kraharor kishin diçka si parzmore hekuri, ndërsa zhurma që bënin krahët e tyre ngjante me zhurmën e shumë qerreve me kuaj që vrapojnë për luftë. 10 Kishin bishta me thumba si të akrepave dhe gjithë fuqia e tyre për të lënduar njerëzit për pesë muaj qëndronte te bishtat. 11 Për mbret kishin engjëllin e humnerës, i cili në hebraisht quhet Abadon, ndërsa në greqisht e ka emrin Apolion.
12 Njëri mjerim shkoi. Ja tek po vijnë edhe dy mjerime të tjera pas tij.
13 I ra trumbetës engjëlli i gjashtë. Atëherë dëgjova një zë që dilte nga të katër qoshet e altarit të artë, që ndodhet para Perëndisë. 14 Zëri i tha engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: «Zgjidhi katër engjëjt që janë lidhur te lumi i madh i Eufratit!». 15 Të katër engjëjt, që ishin bërë gati për atë orë, për atë ditë, për atë muaj e për atë vit, u zgjidhën për të vrarë një të tretën e njerëzve.
16 Dëgjova numrin e ushtarëve të kalorësisë. Ishte dyqind milionë. 17 Kuajt dhe kalorësit që pashë në vegim kishin parzmore të kuqe si zjarri, të kaltra si hiacinti e të verdha si squfuri. Kokat e kuajve ishin si koka luanësh, ndërsa nga goja e tyre dilte zjarr, tym e squfur. 18 Nga këto tri plagë, nga zjarri, tymi e squfuri që dilte nga goja e kuajve, vdiq një e treta e njerëzve. 19 Sepse fuqia e kuajve qëndronte te goja dhe te bishti i tyre. Bishtat e tyre ngjanin si gjarpërinj, që me kokën e tyre u sillnin dëm njerëzve.
20 Pjesa tjetër e njerëzve, ata që nuk vdiqën nga këto plagë, nuk u penduan për veprat që kishin bërë, por vazhdonin të adhuronin djajtë e idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri apo druri, të cilët nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin. 21 Nuk u penduan as për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për kurvërinë e tyre e as për vjedhjet e tyre.