Zbulesa 5

Libri dhe Qengji

Në të djathtë të atij që rrinte ulur në fron pashë një libër të shkruar në të dyja anëtë, të vulosur me shtatë vula. Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të lartë: «Kush është i denjë të thyejë shtatë vulat e të hapë librin?». Por, askush, as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk mund ta hapte librin e ta shihte atë.

Atëherë unë fillova të qaj shumë, ngaqë nuk u gjet askush i denjë për ta hapur librin dhe për ta parë atë. Një nga pleqtë më tha: «Mos qaj! Ja! Luani nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, ngadhënjeu dhe mund t’i thyejë të shtatë vulat e ta hapë librin».

Pastaj, pashë një qengj që qëndronte në mes të fronit, të katër gjallesave e pleqve. Ai dukej si i therur dhe kishte shtatë brirë e shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë, të dërguara në të gjithë dheun.

Ai shkoi e mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte ulur në fron. Kur Qengji mori librin, katër gjallesat dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys para tij. Secili kishte nga një harpë dhe kupa të arta të mbushura me temjan që janë lutjet e të shenjtëve. Ata këndonin një këngë të re e thoshin:

«I denjë je për të marrë librin

dhe për të thyer vulat e tij,

sepse u there e me gjakun tënd ke blerë për Perëndinë

njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull e komb.

10 I bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë

dhe ata do të mbretërojnë mbi dhe».

11 Pastaj pashë përsëri dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që kishin rrethuar fronin, gjallesat dhe pleqtë. Numri i tyre ishte me mijëra, me dhjetëra mijëra. 12 Ata thoshin me zë të lartë:

«I denjë është Qengji i therur

për të marrë pushtetin,

pasurinë, urtinë, fuqinë,

nderin, lavdinë e bekimin».

13 Pastaj dëgjova çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë, në det, gjithë krijesat e gjithësisë, që thoshin:

«Atij, që rri ulur në fron, dhe Qengjit

u qoftë bekimi, nderi, lavdia e pushteti,

në shekuj të shekujve».

14 Katër gjallesat thanë: «Amen!», ndërsa pleqtë ranë përmbys dhe adhuruanf.


 ë5.1 ose: brenda dhe jashtë

 f5.14 dorëshk. të tjera edhe: atë që rron në shekuj të shekujve