Adhurimi qiellor
1 Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri, që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë, më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas». 2 U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush 3 që i ngjante nga pamja një guri diaspri e sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi.
4 Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha e me kurora të arta në kokë. 5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë. 6 Para fronit ishte diçka si det i qelqtë që ngjante si kristal.
Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para e prapa. 7 Gjallesa e parë ngjante me një luan, e dyta me një viç, e treta e kishte fytyrën si fytyrë njeriu, ndërsa e katërta ngjante me një shqiponjë në fluturim. 8 Secila prej të katër gjallesave kishte nga gjashtë krahë. Përreth e nga brenda ishin plot me sy e nuk pushonin as ditën e as natën së thëni:
«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë
është Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm,
ai që ishte, që është e që po vjen».
9 Ndërkohë që gjallesat lëvdonin, nderonin e falënderonin atë që rrinte ulur mbi fron, atë që jeton në shekuj të shekujve, 10 të njëzet e katër pleqtë binin përmbys para atij që rrinte ulur mbi fron dhe adhuronin atë që jeton në shekuj të shekujve, hidhnin kurorat e tyre para fronit dhe thoshin:
11 «I denjë je ti, Zoti e Perëndia ynë,
të marrësh lavdinë, nderimin e fuqinë,
sepse ti ke krijuar gjithçka
dhe me vullnetin tënd u bë e u krijua gjithçka».