Zbulesa 3

Për kishën e Sardës

«Engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: kështu thotë ai që ka shtatë shpirtrat e Perëndisë dhe shtatë yjet: i njoh veprat e tua. Thuhet se jeton, por je i vdekur. Rri zgjuar e jepu forcë të tjerëve, atyre që janë në prag të vdekjes, se veprat e tua para Perëndisë nuk i gjeta të përsosura. Kujto çfarë ke marrë dhe ke dëgjuar! Zbatoji e pendohu! Po të mos zgjohesh do të vij si vjedhës dhe nuk do ta dish orën kur kam për të ardhur kundër teje.

Por ka disa nga ju në Sardë që nuk i keni përlyer rrobat. Ju do të jetoni me mua veshur me të bardha, sepse jeni të denjë. Ai që fiton do të vishet me rroba të bardha. Emrin e tij nuk do ta fshij nga libri i jetës, por do ta rrëfej para Atit tim dhe para engjëjve të tij.

Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».

Për kishën e Filadelfisë

«Engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji:

kështu thotë

i Shenjti, i Vërteti,

ai që ka çelësin e Davidit,

ai që hap e askush nuk mund të mbyllë,

ai që mbyll e askush nuk mund të hapë:

i njoh veprat e tua. E di që nuk ke shumë fuqi, megjithatë e ke zbatuar fjalën time dhe nuk e ke mohuar emrin tim. Ja tek kam vënë para teje një derë të hapur, që askush nuk mund ta mbyllë. Ja se ç’do t’u bëj atyre nga sinagoga e Satanit që thonë se janë judenj, por nuk janë dhe gënjejnë. Do t’i bëj të vijnë e të bien në gjunjë para këmbëve të tua, që ta marrin vesh se unë të kam dashur.

10 Ti e ke zbatuar fjalën time dhe ke bërë durim, prandaj edhe unë do të të ruaj nga sprova e ardhshme që do të vijë mbi gjithë botën për të sprovuar banorët e tokës. 11 Po vij shpejt. Mbaji fort ato që ke, që askush mos të ta rrëmbejë kurorën.

12 Atë që fiton, do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim dhe ai nuk do të dalë kurrë jashtë tij. Në të do të shkruaj emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im. Do të shkruaj edhe emrin tim të ri.

13 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».

Për kishën e Laodicesë

14 «Engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: kështu thotë Amen-i, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, burimie i çdo gjëje të krijuar nga Perëndia: 15 i njoh veprat e tua. Nuk je as i ftohtë, as i nxehtë. Sa mirë do të ishte të ishe i ftohtë ose i nxehtë! 16 Por meqenëse je kështu i vakët, as i nxehtë, as i ftohtë, do të të vjell nga goja. 17 Ti thua: “Jam i pasur dhe kam vënë pasuri të madhe. Nuk kam nevojë për asgjë”. Por ti nuk e di që je i mjerë e i gjorë, i varfër, i verbër e i zhveshur.

18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të pastruar në zjarr, që të pasurohesh, si dhe rroba të bardha që të mbulohesh e të mos duket turpi i lakuriqësisë sate. Lyej edhe sytë me kolir që të shohësh.

19 Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që dua. Ji, pra, i zellshëm e pendohu! 20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas. Nëse dikush ma dëgjon zërin e ma hap derën, unë do të hyj e do të ha darkë me të dhe ai me mua. 21 Atë që fiton do ta vë të ulet me mua në fronin tim, ashtu siç fitova unë dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.

22 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».


 e3.14 ose: fillimi