3 Nuk do të ketë më asnjë mallkim, por atje do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë. 4 Do të shohin fytyrën e Perëndisë dhe emrin e tij do ta kenë të shkruar në ballë. 5 Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë as për dritën e pishtarit e as për dritën e diellit, sepse do t’i ndriçojë Zoti Perëndi dhe do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
Ardhja e Krishtit
6 Pastaj engjëlli më tha: «Këto fjalë janë të besueshme e të vërteta. Zoti Perëndi, frymëzuesi i profetëve, dërgoi engjëllin e vet t’u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti. 7 “Ja ku po vij shpejt!”, thotë Jezui. Lum ai që zbaton fjalët profetike të këtij libri!».
8 Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m’i tregoi, për ta adhuruar atë. 9 Por ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!». 10 Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, se koha e tyre është afër. 11 I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi, i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti, të shenjtërohet».
12 «Ja ku po vij shpejt!», thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t’i jap secilit sipas veprave të tij. 13 Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi.
14 Lum ata që i lajnë rrobat e vetan, se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës e të hyjnë në qytet nga portat. 15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën.
16 Unë, Jezui, ju kam dërguar engjëllin tim për t’ju dëshmuar këto gjëra nëpër kisha. Unë jam rrënja dhe fisi i Davidit, jam ylli i shndritshëm i mëngjesit».
17 Shpirti dhe nusja thonë: «Eja!».
Edhe kush dëgjon, le të thotë: «Eja!».
Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.
18 Unë, Gjoni, po u them të gjithë atyre që dëgjojnë fjalët profetike të këtij libri, se kush u shton ndonjë gjë atyre, edhe Perëndia do t’i shtojë atij plagët që shkruhen në këtë libër. 19 Atij që heq ndonjë gjë nga fjalët profetike të këtij libri, Perëndia do t’ia heqë pjesën nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë, që përshkruhen në këtë libër.
20 Ai që i dëshmon këto, thotë: «Po, po vij shpejt».
Amen! Eja Zoti Jezu!
21 Hiri i Zotit Jezu qoftë me të gjithë!
n22.14 dorëshk. të tjera: Lum ata që zbatojnë porositë e tij