Zbulesa 15

Engjëjt me plagë

Pastaj pashë në qiell një shenjë të madhe e të mahnitshme, shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit. Me to përfundoi zemërimi i Perëndisë.

Pashë edhe diçka si det të qelqtë përzier me zjarr, si edhe ata që kishin mundur bishën, shëmbëlltyrën e sajl dhe numrin e emrit të saj. Ata qëndronin mbi detin e qelqtë me harpat e Perëndisë në duar dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë dhe këngën e Qengjit:

«Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua,

o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm!

Të drejta e të vërteta udhët e tua,

o mbret i kombevell!

Kush nuk do të të druajë ty, o Zot,

kush nuk do ta përlëvdojë emrin tënd?

Vetëm ti je i shenjtë

dhe gjithë kombet do të vijnë

e do të të adhurojnë,

se u shfaqën të gjitha veprat e tua të drejta».

Pastaj pashë se u hap tempulli i tendës së dëshmisë në qiell. Nga tempulli dolën shtatë engjëjt që kishin shtatë plagët. Ata ishin veshur me pëlhura të pastra e të shndritshme, ndërsa kraharorët i kishin ngjeshur me breza të artë. Njëra nga katër gjallesat u dha shtatë engjëjve shtatë kupa të arta, të mbushura me zemërimin e Perëndisë që jeton në shekuj të shekujve. Tempulli u mbush me tymin e lavdisë e të fuqisë së Perëndisë dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaronin të shtatë plagët e shtatë engjëjve.


 l15.2 dorëshk. të tjera edhe: dhe damkën e saj

 ll15.3 dorëshk. të tjera: i shenjtorëve