Dy bishat
1 Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes. 2 Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh. 3 Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës 4 dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?».
5 Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj. 6 Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell. 7 Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër të shenjtëve dhe t’i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb. 8 Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur.
9 Kush ka veshë le të dëgjojë:
10 kush është për t’u zënë rob,
rob do të zihet.
Kush është për t’u vrarë me shpatë,
nga shpata do të vritet.
Këtu do të duket durimi dhe besimi i të shenjtëve.
11 Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua. 12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse. 13 Bisha tjetër bënte shenja të mëdha, sa edhe e bënte zjarrin të zbriste nga qielli në tokë para njerëzve.
14 Ajo mashtronte banorët e tokës me shenjat për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t’i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata. 15 Asaj iu dha fuqi për t’i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t’i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin. 16 Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë. 17 Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj.
18 Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.