Zbulesa 12

Gruaja dhe dragoi

Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje. Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.

Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla. Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.

Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij. Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. 10 Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha:

«Tani erdhi shpëtimi, fuqia

e mbretëria e Perëndisë tonë

dhe pushteti i Krishtit të tij.

Paditësi i vëllezërve tanë,

ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë,

u hodh poshtë.

11 Ata e mundën me gjakun e Qengjit

e me fjalën e dëshmisë së tyre

dhe ishin gati

të jepnin jetën e të vdisninj.

12 Prandaj, gëzohuni, o qiej

e ju që banoni atje!

Mjerë ju, o tokë e det,

se djalli zbriti te ju

me zemërim të madh,

duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».

13 Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. 14 Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.

15 Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. 16 Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. 17 Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësitk e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin. 18 Ai mbeti mbi rërën e detit.


 j12.11 ose: dhe nuk e deshën shpirtin e tyre deri në vdekje

 k12.17 ose: farën