Hyrja
1 Kjo është zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Jezui ia bëri të njohura shërbëtorit të tij Gjon duke i dërguar engjëllin e tij. 2 Gjoni dëshmoi gjithçka që pa: fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit.
3 Lum ai që i lexon dhe lum ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e i zbatojnë ato që janë shkruar në të, sepse koha e përmbushjes së tyre po afron.
Përshëndetje
4 Gjoni u shkruan shtatë kishave që ndodhen në Azi:
qoftë me ju hiri
e paqja nga Perëndia,
që është,
që ishte
e që po vjen;
nga shtatë shpirtrat,
që janë para fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti,
dëshmitari,
besniku,
i pari i ngjallur prej të vdekurvea
e prijësi i mbretërve të tokës.
Ai na deshi,
na çliroib nga mëkatet tona
me gjakun e tij
6 e na bëri mbretëri priftërinjsh
të Perëndisë e Atit.
Atij i qoftë lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve!
Amen!
7 Ja, ai vjen me retë!
Të gjithë do ta shohin,
edhe ata që e shpuan me heshtë.
Gjithë fiset e dheut
do të vajtojnë për të.
Po, amen!
8 «Unë jam Alfa dhe Omegac», thotë Zoti Perëndi, i gjithëpushtetshmi, ai që është, që ishte e që po vjen.
Krishti i shfaqet Gjonit
9 Unë Gjoni, vëllai juaj, që në Jezuin ndaj me ju pikëllimin, pritjen e mbretërisë dhe qëndresën, isha në ishullin që quhet Patmos për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë për Jezu Krishtin. 10 Ditën e Zotit, i rrëmbyer nga Shpirti, dëgjova pas meje një zë të fortë si trumbetë, 11 që tha: «Atë që shikon, shkruaje në një libër dhe dërgoja shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi e në Laodice».
12 U ktheva për të parë zërin që po më fliste. Atëherë pashë shtatë shandanë të artë 13 dhe në mes të shandanëve pashë dikë që ngjante me bir njeriu, të veshur me rrobë të gjatë e me brez të artë rreth kraharorit. 14 Koka dhe flokët e tij ishin të bardhë porsi leshi i bardhë dhe si dëbora, ndërsa sytë e tij si flakë zjarri. 15 Këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, të pastruar në furrë, ndërsa zëri i tij si ushëtima e ujërave të detit. 16 Në dorën e djathtë mbante shtatë yje, ndërsa nga goja i dilte një shpatë e mprehtë me dy tehe. Fytyra e tij ishte si dielli kur ndriçon me gjithë forcën e tij.
17 Kur e pashë, rashë si i vdekur para këmbëve të tij. Ai vuri dorën e djathtë mbi mua e më tha: «Mos ki frikë! Unë jam i pari dhe i fundit. 18 Unë jam ai që jeton. Isha i vdekur, por ja ku jam i gjallë në shekuj të shekujve. Unë kam çelësat e vdekjes dhe të skëterrës. 19 Shkruaj, pra, gjërat që pe: ato që po ndodhin dhe ato që do të ndodhin më vonë. 20 Ja e fshehta e shtatë yjeve që pe në dorën time të djathtë dhe e shtatë shandanëve të artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, ndërsa shtatë shandanët janë shtatë kishat».