Besëlidhja e Perëndisë
1 Perëndia e bekoi Noeun dhe bijtë e tij e u tha: «Shtohuni, shumohuni e mbushni tokën. 2 Frikë e tmerr do të jeni për të gjitha kafshët e tokës, për gjithë shpendët e qiellit, për gjithçka që lëviz mbi dhe, e për gjithë peshqit e detit, se janë lënë në dorën tuaj. 3 Do të keni për ushqim çdo gjë të gjallë që lëviz. Po ju jap gjithçka, ashtu siç ju dhashë çdo bimë të gjelbër. 4 Por nuk do të hani mish të gjallë, domethënë me gjak. 5 Edhe për gjakun e jetëve tuaja do të kërkoj shpagim. Do ta kërkoj jetën e njeriut prej çdo kafshe, prej njeriut e prej vëllait të tij.
6 Ai që derdh gjak njeriu,
prej njeriut do t’i derdhet gjaku,
se në shëmbëlltyrën e vet
e bëri Perëndia njeriun.
7 Ju, pra, shtohuni e shumohuni, mbushni tokën e shumohuni mbi të».
8 Atëherë Perëndia i tha Noeut e bijve të tij: 9 «Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju e me pasardhësit tuaj pas jush, 10 me çdo qenie të gjallë që është me ju, me shpendët, bagëtitë e çdo kafshë të egër që është me ju, me ato që dolën nga arka e me çdo kafshë të tokës. 11 Po e lidh besëlidhjen time me ju që të mos vdesë më asnjë qenie e gjallë nga ujërat e përmbytjes e të mos ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën». 12 Perëndia tha: «Për gjithë breznitë e ardhshme, kjo është shenja e besëlidhjes që unë po bëj mes meje e jush dhe me çdo qenie të gjallë që është me ju. 13 Kam vënë mbi re harkunk tim dhe ai do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e tokës. 14 Kur ta mbuloj tokën me re e harku të shfaqet mbi to, 15 do të kujtoj besëlidhjen time mes meje e jush dhe me çdo lloj qenie të gjallë, kështu ujërat nuk do ta përmbytin më e nuk do të shkatërrojnë tërë qeniet e gjalla. 16 Kur harku të jetë mbi re, do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përjetshme mes Perëndisë e çdo lloj qenieje të gjallë mbi tokë». 17 Perëndia i tha Noeut: «Kjo është shenja e besëlidhjes që kam vendosur mes meje e çdo qenieje të gjallë mbi tokë».
Bijtë e Noeut
18 Bijtë e Noeut që dolën nga arka ishin Semi, Kami e Jafeti. Kami ishte ati i Kanaanit. 19 Këta të tre ishin bijtë e Noeut dhe prej tyre u popullua e gjithë toka.
20 Noeu filloi të kultivojë tokënl e mbolli një vresht. 21 Ai piu verë, u deh e u zhvesh në mes të tendës. 22 Kami, ati i Kanaanit, pa lakuriqësinë e të atit dhe u tregoi dy vëllezërve që ishin jashtë. 23 Atëherë Semi e Jafeti morën një rrobë, e vunë mbi krahë dhe duke ecur mbrapsht mbuluan lakuriqësinë e të atit. Ishin me fytyrë mbrapa e kështu nuk e panë lakuriqësinë e të atit. 24 Kur i doli pija, Noeu mori vesh se çfarë i kishte bërë djali i vogël 25 e tha:
«Mallkuar qoftë Kanaani!
Shërbëtor i shërbëtorëve do të jetë për vëllezërit e vet!».
26 Po ashtu tha:
«Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit.
Kanaani qoftë shërbëtori i tij!
27 Perëndia i zgjeroftë kufijtë e Jafetit e ky banoftë në tendën e Semit.
Kanaani qoftë shërbëtori i tij!».
28 Pas përmbytjes Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet. 29 Kështu, Noeu jetoi nëntëqind e pesëdhjetë vjet dhe vdiq.