Pasardhësit e Adamit
1 Ky është libri i breznive të Adamit. Kur Perëndia krijoi njeriun, në përngjasimin e Perëndisë e krijoi. 2 Mashkull e femër i krijoi, i bekoi dhe ditën kur i krijoi i quajti «njeri».
3 Adami ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur i lindi një djalë në përngjasimin e në shëmbëlltyrën e tij dhe e quajti Set. 4 Adami jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Seti e pati bij e bija të tjera. 5 Kështu, Adami jetoi nëntëqind e tridhjetë vjet dhe vdiq.
6 Seti ishte njëqind e pesë vjeç kur i lindi Enoshi. 7 Seti jetoi tetëqind e shtatë vjet pasi i lindi Enoshi e pati bij e bija të tjera. 8 Kështu, Seti jetoi nëntëqind e dymbëdhjetë vjet dhe vdiq.
9 Enoshi ishte nëntëdhjetë vjeç kur i lindi Kenani. 10 Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Kenani e pati bij e bija të tjera. 11 Kështu, Enoshi jetoi nëntëqind e pesë vjet dhe vdiq.
12 Kenani ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindi Mahalaleli. 13 Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet pasi i lindi Mahalaleli e pati bij e bija të tjera. 14 Kështu, Kenani jetoi nëntëqind e dhjetë vjet dhe vdiq.
15 Mahalaleli ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Jaredi. 16 Mahalaleli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Jaredi e pati bij e bija të tjera. 17 Kështu, Mahalaleli jetoi tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe vdiq.
18 Jaredi ishte njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjeç kur i lindi Enoku. 19 Jaredi jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Enoku e pati bij e bija të tjera. 20 Kështu, Jaredi jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe vdiq.
21 Enoku ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Metushelahu. 22 Enoku jetoi me Perëndinë për treqind vjet pasi i lindi Metushelahu e pati bij e bija të tjera. 23 Kështu, Enoku jetoi treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. 24 Ai jetoi me Perëndinë e nuk u gjet më, se e mori Perëndia.
25 Metushelahu ishte njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjeç kur i lindi Lameku. 26 Metushelahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet pasi i lindi Lameku e pati bij e bija të tjera. 27 Kështu, Metushelahu jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet dhe vdiq.
28 Lameku ishte njëqind e tetëdhjetë e dy vjeç kur i lindi një djalë. 29 E quajti Noe e tha: «Ky do të na çlodhëgj nga puna e nga mundimi i duarve tona për shkak të tokës që Zoti mallkoi». 30 Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet pasi i lindi Noeu e pati bij e bija të tjera. 31 Kështu, Lameku jetoi shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet dhe vdiq.
32 Noeu ishte pesëqind vjeç kur i lindën Semi, Kami e Jafeti.