Zanafilla 46

Jakobi në Egjipt

Izraeli bashkë me gjithçka kishte u ngrit e shkoi në Bershebë e aty i kushtoi fli Perëndisë së Isakut, atit të tij. Atëherë Perëndia iu drejtua Izraelit natën në një vegim e i tha: «Jakob, Jakob!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!». Perëndia i tha: «Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd. Mos ki frikë të shkosh në Egjipt, sepse atje do të të bëj një komb të madh. Unë vetë do të shkoj bashkë me ty në Egjipt e po unë do të të kthej që andej. Jozefi do të t’i mbyllë sytë».

Atëherë Jakobi u ngrit nga Bersheba dhe bijtë e Izraelit e vunë Jakobin, atin e tyre, bashkë me fëmijët e gratë e tyre, në qerret që faraoni kishte dërguar për të. I morën me vete bagëtitë e pasurinë që kishin mbledhur në tokën e Kanaanit dhe Jakobi me gjithë familjen e tij mbërritën në Egjipt. Ai e solli në Egjipt gjithë familjen e tij, bijtë, nipërit, bijat e mbesat.

Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt: Jakobi e bijtë e tij. Rubeni, i parëlinduri i Jakobit. Bijtë e Rubenit, Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. 10 Bijtë e Simeonit, Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. 11 Bijtë e Levit, Gershoni, Kohati e Merari. 12 Bijtë e Judës, Eri, Onani, Shelahu, Pereci e Zerahu. Eri e Onani vdiqën në tokën e Kanaanit. Bijtë e Perecit ishin Hecroni e Hamuli. 13 Bijtë e Isaharit, Tolai, Puahu, Jobi e Shimroni. 14 Bijtë e Zabulonit, Seredi, Eloni e Jahleli. 15 Këta janë bijtë që Lea ia lindi Jakobit në Padan Aram. Ajo lindi edhe një vajzë, Dinën. Bij e bija, ishin gjithsej tridhjetë e tre veta. 16 Bijtë e Gadit: Cifioni, Hagiu, Shuniu, Ecboni, Eri, Arodi e Arieli.

17 Bijtë e Asherit, Imnahu, Ishvahu, Ishviu, Berjahu e Seraja, motra e tyre. Bijtë e Berjahut, Heberi e Malkieli. 18 Këta janë bijtë e Zilfës që Labani ia dha për shërbëtore Leas, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatëmbëdhjetë veta.

19 Bijtë e Rakelës, gruas së Jakobit, Jozefi e Benjamini. 20 Jozefit i lindën, në tokën e Egjiptit, Manaseu dhe Efraimi. Ia lindi Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit. 21 Bijtë e Benjaminit, Belai, Bekeri, Ashbeli, Gerai, Namani, Ehiu, Roshi, Mupimi, Hupimi e Aredi. 22 Këta janë bijtë e Rakelës që ia lindi Jakobit. Gjithsej dyzet veta. 23 Bijtë e Danit, Hushimi. 24 Bijtë e Neftaliut, Jahceli, Guniu, Jeceri e Shilemi. 25 Këta janë bijtë e Bilhës që Labani ia dha për shërbëtore Rakelës, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatë veta. 26 Të gjithë ata që erdhën në Egjipt me Jakobin, pasardhësit e tij, pa përfshirë gratë e të bijve, ishin gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë. 27 Ndërsa bijtë e Jozefit që i lindën në Egjipt ishin vetëm dy. Kështu, shtatëdhjetë anëtarë të familjes së Jakobit erdhën në Egjipt.

Jakobi në Goshen

28 Jakobi e kishte dërguar Judën te Jozefi që t’i diltez para në Goshen. Kur arritën në Goshen, 29 Jozefi bëri gati karrocën e shkoi atje për të takuar atin e tij, Izraelin. Sapo i doli përpara, Jozefi e përqafoi dhe qau për një kohë të gjatë mbi supin e të atit. 30 Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Tani le të vdes, sepse të pashë e ti qenke ende gjallë!». 31 Jozefi u tha vëllezërve dhe atyre të shtëpisë së të atit: «Do të shkoj ta njoftoj faraonin se më kanë ardhur vëllezërit dhe familja e tim eti që ishin në Kanaan. 32 Pastaj do t’i them që jeni barinj, se gjithmonë jeni marrë me blegtori e që keni sjellë me vete dhentë e qetë tuaja e gjithçka keni. 33 Kështu, kur faraoni t’ju thërrasë e t’ju pyesë me çfarë merreni, 34 thuajini: “Shërbëtorët e tu kanë qenë barinj që në moshë të re e deri tani, ashtu siç kanë qenë dhe etërit tanë”. Thoni kështu që të banoni në tokën e Goshenit, meqë egjiptianët kanë neveri për të gjithë barinjtë».


 z46.28 ose: printe