Jozefi dhe Benjamini
1 Pastaj Jozefi e urdhëroi kujdestarin e shtëpisë: «Mbushi me ushqime sa të mbajnë thasët e këtyre njerëzve dhe futi paratë e secilit në grykë të thasëve. 2 Ndërsa kupën time të argjendtë fute në grykën e thesit të të voglit, bashkë me paratë e tij». Ai veproi siç i tha Jozefi 3 dhe në të gdhirë, i nisën bashkë me gomarët e tyre. 4 Ata dolën nga qyteti, por pa u larguar mirë, Jozefi i tha kujdestarit të shtëpisë: «Ngrihu e ndiqi ata njerëz! Kur t’i arrish thuaju: “Përse e shpërblyet të mirën me të keqe?! 5 A nuk është kjo kupa që imzot e përdor për të pirë e për të parë të ardhmen? Jeni treguar të ligj me këtë që bëtë!”».
6 Ai i arriti e u tha të njëjtat fjalë. 7 Por ata i thanë: «Përse imzot flet kështu? Qoftë larg prej shërbëtorëve të tu të bëjnë një gjë të tillë. 8 Ja, paratë që gjetëm në grykë të thasëve, t’i sollëm që nga toka e Kanaanit. Si mundet, pra, të vidhkemi argjend apo ar nga shtëpia e zotit tënd?! 9 Kujtdo nga shërbëtorët e tu që do t’i gjendet kupa, ai do të vdesë e ne do të bëhemi skllevër të timzot». 10 Ai u tha: «Mirë! Të bëhet siç thatë. Atij që do t’i gjendet kupa, ai do të bëhet skllavi im, kurse ju do të shkoni të lirë!». 11 Kështu, secili nxitoi të shkarkojë e të hapë grykën e thesit të vet. 12 Kujdestari i kontrolloi me radhë nga më i madhi te më i vogli dhe kupa u gjet në thesin e Benjaminit. 13 Ata shqyen rrobat, ngarkuan gomarët e u kthyen në qytet.
14 Atëherë Juda bashkë me vëllezërit hynë në shtëpinë e Jozefit. Ai ishte ende atje. U përkulën gjer në tokë para tij 15 dhe ai u tha: «Çfarë bëtë kështu?! A nuk e dini se dikush si unë mund të shohë të ardhmen». 16 Juda iu përgjigj: «Si t’i përgjigjemi timzoti? Ç’të themi e si të shfajësohemi? Perëndia e zbuloi fajin e shërbëtorëve të tu. Ja tani, jemi skllevër të timzoti, si ne, ashtu edhe ai, të cilit iu gjet kupa». 17 Por Jozefi tha: «Larg qoftë që të bëj këtë gjë! Vetëm ai, të cilit iu gjet kupa do jetë skllavi im. Ndërsa ju shkoni në paqe tek ati juaj».
18 Juda iu afrua Jozefit e i tha: «Të lutem imzot, lejoje shërbëtorin tënd të të thotë një fjalë e mos u zemëro me të, sepse ti je si faraoni vetë. 19 Imzot i pyeti shërbëtorët e tij nëse ati ynë është gjallë e nëse kemi ndonjë vëlla tjetër. 20 Ne i thamë timzoti se kemi një atë të moshuar dhe një vëlla të vogël që i lindi në pleqëri. Vëllai i tij ka vdekur dhe, meqë e ëma e ka djalë të vetëm, i ati e do fort. 21 Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: “Ma sillni që ta shoh me sytë e mi”. 22 Ne iu përgjigjëm timzoti: “Djali s’mund ta lërë të atin, se po e la, i ati do të vdesë”. 23 Por ti u the shërbëtorëve të tu: “Nëse vëllai juaj i vogël nuk vjen bashkë me ju, s’keni për të më takuar”. 24 Kur u kthyem tek ati ynë e shërbëtori yt, i treguam fjalët e timzoti. 25 Por ai na tha: “Kthehuni e na blini ca grurë”. 26 Ne i thamë se nuk mund të shkonim. Vetëm nëse vëllai ynë i vogël do të ishte me ne, do të mund të shkonim, se pa të nuk mund t’i dilnim përpara atij njeriu. 27 Atëherë im atë, shërbëtori yt, na tha: “Ju e dini që gruaja më lindi dy djem. 28 Njëri më iku e them se më është bërë copë-copë dhe që atëherë nuk e kam parë më. 29 Nëse e merrni edhe këtë prej meje e i ndodh ndonjë gjë, këtë plak do ta hidhëroni e do ta shtini në varr”. 30 Prandaj, nëse shkoj tek im atë, shërbëtori yt, dhe djali nuk është me ne, atëherë im atë, jeta e të cilit varet nga jeta e djalit, 31 do të shohë se djali nuk është e do të vdesë. Kështu, shërbëtorët e tu do ta hidhërojnë plakun e do ta shtien në varr. 32 Shërbëtori yt u bë dorëzanë për djalin para atit tim e i thashë se, nëse nuk ia sjell, do të jem fajtor para tij për tërë jetën. 33 Prandaj, lejoje shërbëtorin tënd të marrë vendin e djalit si skllav i timzoti e djali të shkojë bashkë me vëllezërit. 34 Si mund të shkoj tek im atë, kur djali nuk është me mua? Mos më lër të shoh mjerimin e tim eti!».