Vëllezërit kthehen në Egjipt
1 Zia e bukës ishte e rëndë mbi tokë. 2 Kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, Jakobi, ati i tyre, u tha: «Kthehuni në Egjipt për të na blerë pak ushqime». 3 Juda iu përgjigj: «Ai na paralajmëroi qartë se nuk mund ta takojmë pa qenë edhe vëllai ynë me ne. 4 Nëse e lë vëllanë tonë të vijë bashkë me ne, do të shkojmë e do të blejmë ushqime për ty. 5 Por, nëse nuk e lë, nuk do të shkojmë, sepse ai na tha se nuk mund ta takojmë pa qenë edhe vëllai ynë me ne». 6 Atëherë Izraeli tha: «Përse ma bëtë këtë të keqe duke i treguar se kishit edhe një vëlla tjetër?». 7 Ata i thanë: «Ai na pyeti imtësisht për veten tonë e për farefisin: “A është ati juaj ende gjallë? A keni vëlla tjetër?”. Ne iu përgjigjëm sipas pyetjeve që na bëri. Ku ta dinim ne se do të na thoshte: “Silleni edhe vëllanë tuaj!”?». 8 Juda i tha Izraelit, të atit: «Lëre djalin me mua, që të ngrihemi e të shkojmë dhe kështu do të mbesim gjallë e nuk do të vdesim ne, ti e fëmijët tanë. 9 Unë do të bëhem dorëzanë për të dhe mua do të më kërkosh llogari. Nëse nuk ta kthej djalin e nuk ta vë përpara, do të jem fajtor ndaj teje për tërë jetën. 10 Po të mos ishim vonuar, tani do të ishim kthyer për herë të dytë».
11 Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha: «Nëse është kështu puna, atëherë bëni siç po ju them: mbushini trastat me prodhimet më të mira të vendit dhe çojini atij si dhuratë, pak balsam, pak mjaltë, erëza të mira, mirrë, lajthi e bajame. 12 Merrni me vete dyfishin e parave. Kthejani paratë që ju kishin vënë te gryka e thasëve, se ndoshta është bërë ndonjë gabim. 13 Merreni vëllanë tuaj dhe ngrihuni e shkoni tek ai njeri. 14 Perëndia i gjithëpushtetshëm e zbuttë këtë njeri që t’ju lirojë vëllanë tjetër dhe Benjaminin. Sa për mua, nëse mbes pa djem, le të mbes!». 15 Atëherë morën me vete dhuratat, dyfishin e parave dhe Benjaminin. U ngritën e shkuan në Egjipt e u paraqitën para Jozefit. 16 Kur Jozefi pa Benjaminin bashkë me ta, i tha kujdestarit të shtëpisë: «Çoji këta njerëz në shtëpi. Ther një kafshë e shtro tryezën, se do të hanë drekë me mua». 17 Ai bëri siç i tha Jozefi dhe i solli në shtëpinë e tij. 18 Ata i kapi frika kur i sollën në shtëpinë e Jozefit, se thoshin: «Na ka sjellë këtu për shkak të parave të gjetura në thasë herën e parë. Do të na hidhet e do të na sulet, që të na zërë skllevër e të na marrë gomarët». 19 Prandaj, kur po hynin, iu afruan kujdestarit të shtëpisë së Jozefit e i thanë: 20 «Të na falë imzot, ne kemi ardhur edhe herë tjetër për të blerë grurë. 21 Kur arritëm në një bujtinë, hapëm thasët dhe secili gjeti në grykën e thasëve shumën që kishte paguar. Prandaj i kemi sjellë prapë. 22 Kemi sjellë edhe para të tjera për të blerë ushqime. Ne nuk e dimë kush i futi paratë në thasë». 23 Ai u tha: «Qetësohuni! Mos kini frikë! Ka qenë Perëndia juaj, Perëndia i atit tuaj, ai që ju vuri thesare në thasë. Unë për vete i mora ç’më dhatë». Pastaj iu solli Simeonin. 24 Kur i solli në shtëpinë e Jozefit u dha ujë për të larë këmbët dhe u nxori tagji gomarëve. 25 Ndërkohë që prisnin Jozefin për drekë, ata bënë gati dhuratat, se e morën vesh që do të hanin aty.
26 Kur erdhi Jozefi në shtëpi, i dhanë dhuratat që kishin sjellë e iu përkulën gjer në tokë. 27 Ai i pyeti si ishin e u tha: «A është mirë ati juaj i moshuar për të cilin më treguat? A është ende gjallë?». 28 Ata i thanë: «Shërbëtori yt, ati ynë, është shëndoshë e mirë. Ai është ende gjallë». Pastaj u përkulën me nderim. 29 Jozefi ngriti sytë e pa Benjaminin, të vëllanë, birin e nënës së vet e u tha: «A është ky vëllai juaj i vogël për të cilin më treguat?» dhe vazhdoi: «Perëndia pastë mëshirë për ty, biri im!». 30 Jozefi u mallëngjye kur pa të vëllanë e doli me të shpejtë, se i erdhi për të qarë. Hyri në dhomën e vet e qau. 31 Pastaj e lau fytyrën e doli prej dhomës. E mbajti veten e tha: «Na shtroni të hamë!». 32 Shtruan për Jozefin veç, për vëllezërit veç dhe për egjiptianët që hanin me të veç, se egjiptianët nuk mund të hanin bashkë me hebrenjtë. Për ta kjo ishte e neveritshme. 33 Kur i ulën vëllezërit para tij, me radhë, nga më i madhi deri te më i vogli, ata panë njëri-tjetrin të habitur. 34 Ushqimi u shërbehej prej tryezës së Jozefit, por pjesa e Benjaminit ishte pesë herë me e madhe se e të tjerëve. Kështu, ata pinë e festuan bashkë me Jozefin.