Zanafilla 30

Kur pa që nuk mund t’i lindte fëmijë Jakobit, Rakela e pati zili të motrën e i tha Jakobit: «Më jep bij, përndryshe do të vdes!». Jakobi u zemërua me Rakelën e i tha: «Mos jam Perëndia unë? Ai ta ka mohuar frytin e barkut». Ajo tha: «Ja ku e ke Bilhën, shërbëtoren time. Fli me të. Kështu, ajo do të lindë në prehrin tim e prej saj do të bëhem edhe unë me fëmijë». Rakela i dha Jakobit për grua Bilhën, skllaven e vet, e ai fjeti me të. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Rakela tha: «Perëndia më dha të drejtë, ma dëgjoi edhe mua zërin e më dha një djalë». Prandaj e quajti Dan. Bilha, skllavja e Rakelës, mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit edhe një djalë. Atëherë Rakela tha: «Fort u përlesha me time motër, por më në fund fitova». Prandaj e quajti Neftali.

Kur Lea pa që nuk mund të lindte më, mori Zilfën, skllaven e vet, e ia dha Jakobit për grua. 10 Ajo i lindi Jakobit një djalë. 11 Atëherë Lea tha: «Pata fat!». Prandaj e quajti Gad. 12 Zilfa, skllavja e Leas, i lindi Jakobit edhe një djalë tjetër. 13 Lea tha: «Lum unë, se gratë do të më quajnë të lume». Prandaj e quajti Asher.

14 Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli në fushë, gjeti madërgona e ia dha të ëmës, Leas. Atëherë Rakela i tha: «Më jep disa nga madërgonat që të solli yt bir». 15 Por ajo iu përgjigj: «Pak të duket që më more tim shoq, tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri!». Rakela i tha: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, Jakobi do të flejë sonte me ty». 16 Në mbrëmje Jakobi u kthye nga fusha dhe Lea i doli para e i tha: «Do të flesh me mua, se të kam blerë me madërgonat e tim biri». Atë natë ai fjeti me të. 17 Perëndia e dëgjoi Lean. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e pestë. 18 Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim, sepse i dhashë tim shoqi skllaven time». Prandaj e quajti Isahar. 19 Lea mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e gjashtë. 20 Ajo tha: «Perëndia më dha një dhuratë të mirë. Kësaj here im shoq do të më nderojën, sepse i kam lindur gjashtë djem». Prandaj e quajti Zabulon. 21 Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina.

22 Perëndia u kujtua për Rakelën. Ai e dëgjoi e i dha fëmijë. 23 Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Perëndia ma hoqi turpin». 24 Prandaj e quajti Jozef e tha: «Zoti më shtoftë edhe me një djalë tjetër».

Jakobi dhe Labani

25 Kur Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha Labanit: «Më lër të shkoj në vendin tim e në tokën time. 26 M’i jep gratë e bijtë e mi, për të cilët të shërbeva, që të shkoj. Ti e di sa të kam shërbyer». 27 Labani iu përgjigj: «Nëse kam gjetur hir para teje, qëndro me mua, sepse kam parënj se, falë teje, Zoti më ka bekuar. 28 Më thuaj sa e do pagën dhe unë do të ta jap». 29 Por Jakobi i tha: «Ti e di sa të kam shërbyer e sa shumë t’u shtuan bagëtitë nën kujdesin tim. 30 Në çdo gjë që bëra Zoti të bekoi. Edhe ato pak që kishe para se të vija unë, u shtuan e u shumuan. A nuk ka ardhur koha të punoj edhe për shtëpinë time?». 31 Labani i tha: «Çfarë do që të të jap?». Jakobi i tha: «Nuk dua asgjë, veç bëj si të them. Më lër t’i kullot e t’i ruaj përsëri bagëtitë e tua, 32 të shkoj sot mes tyre e të ndaj mënjanë çdo dele e dhi laramane ose pikaloshe e çdo qengj të zi. Ky do të jetë shpërblimi im. 33 Drejtësia ime do të duket nesër kur të vish për të parë shpërblimin tim. Çdo dhi që nuk është laramane ose pikaloshe e çdo qengj që nuk është i zi, do të quhet i vjedhur». 34 Labani tha: «Le të bëhet siç the ti». 35 Atë ditë Labani ndau mënjanë cjeptë e dhitë laramane e pikaloshe, çdo kafshë me njollë të bardhë, tërë qengjat e zinj e ua dha të bijve. 36 Ai u largua tre ditë rrugë larg Jakobit. Jakobi kulloste pjesën tjetër të bagëtive të Labanit.

37 Atëherë Jakobi mori thupra të njoma plepi, bajameje e rrapi dhe ua qëroi lëvoren vende-vende që t’u dukej e bardha e kërcellit. 38 Pastaj i vendosi në koritë, në rrjedhat e ujit, që të ishin përballë bagëtive kur vinin për të pirë, sepse ato mbarseshin kur vinin për të pirë. 39 Bagëtitë u mbarsën përballë thuprave e pollën keca laramanë e pikaloshë. 40 Jakobi i ndau edhe delet e i vuri përballë bagëtive të Labanit që ishin laramane e të zeza. E kështu, ai bëri bagëtitë e veta dhe nuk i bashkoi me ato të Labanit. 41 Sa herë që bagëtitë e shëndosha mbarseshin, ai i vinte thuprat në koritë para tyre, që të mbarseshin pranë thuprave. 42 Por, kur bagëtitë ishin të dobëta, ai nuk i vinte thuprat. Kështu, Labanit i mbetën të dobëtat, ndërsa Jakobit të shëndoshat. 43 Jakobi u pasurua tej mase e pati shumë bagëti, shërbëtorë, shërbëtore, deve e gomarë.


 n30.20 ose: do të rrijë me mua

 nj30.27 ose: jam pasuruar