Zanafilla 2

Kështu u kryen qielli, toka e gjithçka që është në tocDitën e shtatë Perëndia e përfundoi punën që kishte bërë. Ditën e shtatë ai pushoi nga të gjitha punët që kishte bërë. Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë, se atë ditë ai pushoi nga çdo gjë që krijoi e bëri.

Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës kur u krijuan.

Krijimi i burrit dhe i gruas

Ditën kur Zoti Perëndi krijoi tokën e qiellin, asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se Zoti Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. Megjithatë një burimç dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. Zoti Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes.

10 Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lumenj. 11 I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. 12 Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. 13 I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. 14 I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat.

15 Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante. 16 Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun e i tha: «Nga çdo pemë e kopshtit ha lirisht, 17 por nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes mos ha, sepse ditën që ha prej saj, me të vërtetë do të vdesësh».

18 Pastaj Zoti Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Do t’i bëj dikë përkrah si veten e tijd». 19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t’i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t’u vinte, ai do të ishte emri i tyre. 20 Kështu njeriu i vuri emër çdo bagëtie, çdo shpendi të qiellit e çdo kafshe të egër. Megjithatë, Adamit nuk iu gjet askush përkrah si vetja e vet. 21 Atëherë Zoti Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. 22 Me brinjën që mori nga njeriu Zoti Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. 23 Atëherë njeriu tha:

«Kjo tani, është kockë prej kockave të mia,

mish prej mishit tim.

Do të quhet grua,

se nga burri ajo u nxor».

24 Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish.

25 Njeriu me gruan e tij ishin që të dy lakuriq, por nuk kishin turp.


 c2.1 he. gjithë ushtria e tyre

 ç2.6 ose: avull; re

 d2.18 he. një ndihmës si përballë tij