Ligësia e Sodomës
1 Dy engjëjt arritën në Sodomë në mbrëmje, kur Loti po rrinte te porta e Sodomës. Si i pa, u ngrit t’i takonte, u përkul me fytyrë përdhe 2 e tha: «Zotërinj, kthehuni nga shtëpia e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e të lani këmbët. Pastaj në të gdhirë vazhdoni udhëtimin». Ata thanë: «Jo, natën do ta kalojmë në shesh». 3 Por Loti nguli këmbë. Kështu, ata u kthyen tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një gosti, u poqi bukë të ndorme dhe ata hëngrën. 4 Para se të flinin, njerëzit e qytetit të Sodomës, i tërë populli pa përjashtim, i ri e i vjetër, rrethuan shtëpinë. 5 I thirrën Lotit e i thanë: «Ku janë burrat që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që t’i përdhunojmëu». 6 Loti doli përjashta, mbylli derën pas vetes 7 e u tha: «Mos vëllezër, mos bëni ligësi. 8 Ja ku kam dy bija që nuk kanë njohur burrë. Po i nxjerr jashtë e po jua jap, që të bëni me to ç’të doni. Vetëm këtyre burrave mos u bëni gjë, se janë nën mbrojtjen timev». 9 Ata u përgjigjën: «Ik shporru!». Edhe thanë: «Ky erdhi të banojë si i huaj e dashka të jetë gjykatës! Tani do të sillemi edhe më keq me ty!». Filluan ta shtyjnë Lotin fort dhe u afruan për ta shpërthyer derën. 10 Por dy burrat zgjatën dorën, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën. 11 Pastaj i verbuan njerëzit që ishin përjashta, nga më i vogli deri te më i madhi. Kështu ata u lodhën së kërkuari hyrjen e shtëpisë.
Shkatërrimi i Sodomës e Gomorrës
12 Burrat i thanë Lotit: «Kush tjetër është me ty? Ke dhëndër, bij e bija? Këdo që ke në këtë qytet nxirre jashtë prej këtij vendi. 13 Ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse e madhe është gjëma e tyre para Zotit dhe ai na ka dërguar që ta shkatërrojmë». 14 Loti doli jashtë e u foli dhëndurëve që ishin martuar me bijat e tij: «Ngrihuni e largohuni nga ky vend, se Zoti do ta shkatërrojë qytetin». Por dhëndurëve iu duk se ai po tallej.
15 Në të gdhirë, engjëjt e nxisnin Lotin duke i thënë: «Ngrihu e merr me vete gruan tënde dhe të dy bijat që gjenden këtu. Përndryshe, kur qyteti të ndëshkohet, do të zhdukesh edhe ti». 16 Por ai po vonohej. Atëherë, meqë Zoti pati mëshirë për të, burrat e morën për dore atë, gruan e tij e bijat e tij dhe i nxorën e i lanë jashtë qytetit. 17 Pasi i nxorën jashtë, njëri prej tyre i tha: «Ik, shpëto veten! Mos shiko mbrapa e mos u ndal askund në luginë. Ik në mal, përndryshe do të zhdukesh!». 18 Loti u tha: «Mos, o Zot! 19 Ja, shërbëtori yt gjeti hir para teje e ti u tregove shumë mirëdashës me atë që bëre duke më shpëtuar. Por unë nuk do të largohem dot në mal pa më zënë fatkeqësia e kam për të vdekur. 20 Ja një qytet ku mund të strehohem. Është afër dhe i vogël. Më lër të shkoj te ky qytet i vogël që të shpëtoj». 21 Ai i tha: «Ja, po ta plotësoj edhe këtë kërkesë. Nuk do ta shkatërroj qytetin për të cilin fole. 22 Shpejto, ik atje, se nuk do të bëj asgjë derisa të arrish». Prandaj qyteti u quajt Coar. 23 Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti hyri në Coar.
24 Atëherë Zoti lëshoi nga qielli sulfur e zjarr mbi Sodomën e Gomorrën. 25 Ai i shkatërroi ato qytete dhe gjithë luginën bashkë me tërë banorët e qyteteve e bimësinë e tokës. 26 Por gruaja e Lotit shikoi mbrapa dhe u kthye në një shtatore kripe.
27 Herët në mëngjes, Abrahami u ngrit e shkoi te vendi ku kishte qëndruar para Zotit. 28 Hodhi sytë poshtë nga Sodoma e Gomorra dhe nga tërë vendi i luginës dhe, ja, një tym ngrihej nga toka sikur të ishte tym furre.
29 Kështu ndodhi që, kur Perëndia shkatërroi qytetet e luginës, u kujtua për Abrahamin dhe e largoi Lotin nga shkatërrimi që rax mbi qytetet ku banonte.
Zanafilla e Moabit dhe e Amonit
30 Loti kishte frikë të banonte në Coar, prandaj u largua nga Coari bashkë me dy bijat e tij e banoi në mal, në një shpellë. 31 Atëherë vajza e madhe i tha të voglës: «Ati ynë është plak dhe nuk ka asnjë burrë në vend që të flejë me ne, siç bëhet në mbarë tokën. 32 Eja, le ta dehim atin tonë me verë, që të flemë me të e, përmes tij, të ruajmë farën». 33 Kështu, atë natë e dehën me verë atin e tyre dhe e madhja hyri e u shtri me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. 34 Të nesërmen, vajza e madhe i tha të voglës: «Ja, unë fjeta mbrëmë me tim atë. Le ta dehim me verë edhe sonte. Pastaj hyr ti e fli me të që, përmes tij, të ruajmë farën». 35 Atë natë e dehën përsëri me verë të atin. E vogla shkoi e fjeti me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. 36 Të dyja bijat e Lotit mbetën shtatzënë prej tij. 37 E madhja lindi djalë dhe e quajti Moab. Ky është ati i moabitëve të sotëm. 38 Edhe e vogla lindi djalë dhe e quajti Benami. Ky është ati i amonitëve të sotëm.