Veprat 7

Fjalimi i Stefanit

Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?».

Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t’ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t’i skllavëronin e do t’i keqtrajtonin për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t’i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend.

Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. 10 Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet.

11 Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. 12 Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. 13 Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit.

14 Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. 15 Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, 16 dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem.

17 Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, 18 derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. 19 Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t’i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.

20 Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj 21 dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. 22 Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. 23 Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. 24 Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. 25 Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. 26 Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t’i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. 27 Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? 28 A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? 29 Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij.

30 Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. 31 Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: 32 unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. 33 Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. 34 E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t’i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.

35 Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. 36 Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. 37 Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë.i 38 Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. 39 Etërit tanë nuk deshën t’i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. 40 Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç’u bë me të. 41 Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.

42 Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve:

a më kushtove kafshë të therura

dhe flijime,

dyzet vjet në shkretëtirë,

o shtëpia e Izraelit?

43 Ju morët me vete tendën e Molokut

dhe yllin e perëndisë suaj Refan,

shëmbëllimet që i bëtë vetë për t’i adhuruar,

prandaj do t’ju shpërngul përtej Babilonisë.

44 Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. 45 Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, 46 i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. 47 Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.

48 Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:

49 qielli është froni im

e toka është shtroja e këmbëve të mia.

Çfarë shtëpie do të më ndërtoni,

thotë Zoti,

ose cili është vendi

ku do të gjej prehje?

50 A nuk i ka bërë dora ime

të gjitha këto gjëra?

51 Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinëj, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t’i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. 52 Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. 53 Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».

Vrasja e Stefanit

54 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. 55 Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. 56 Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». 57 Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. 58 Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë.

Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul.

59 Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». 60 Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.


 i7.37 dorëshk. të tjera edhe: Atë dëgjoni

 j7.51 ose: me zemër e veshë të parrethprerë