Veprat 5

Hananiahu e Sapfira

Një burrë që quhej Hananiah, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë. Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve. Atëherë Pjetri i tha: «Hananiah, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës? Sa ishte pa shitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje ç’të doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë». Kur dëgjoi këto fjalë, Hananiahu u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe. Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën.

Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananiahut, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur. Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?». Ajo i tha: «Po, për kaq». Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej». 10 Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt.

Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet. 11 Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.

Apostujt shërojnë shumë veta

12 Në popull bëheshin shumë shenja e mrekulli përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit. 13 Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.

14 Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë. 15 Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre. 16 Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.

Apostujt përndiqen

17 Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë 18 dhe i kapën apostujt e i futën në burgf19 Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha: 20 «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të reg». 21 Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.

Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu. 22 Por kur rojat arritën te burgu, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen e njoftuan: 23 «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar më këmbë te dyert. Por kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda». 24 Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.

25 Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin». 26 Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. 27 Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: 28 «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». 29 Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. 30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. 31 Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. 32 Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».

33 Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t’i vrisnin. 34 Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t’i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. 35 Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. 36 Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. 37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. 38 Prandaj, tani, po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve e t’i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. 39 Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t’i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë».

Ata e dëgjuan Gamalielin 40 dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë.

41 Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. 42 Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.


 f5.18 ose: burgun publik

 g5.20 ose: të kësaj jete