Veprat 20

Pali në Maqedoni e Greqi

Pasi mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni. Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi. Atje qëndroi tre muaj.

Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia. Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga AziaxhAta shkuan përpara dhe na pritën në Troadë, ndërsa ne, pas ditëve të festës së Bukëve të ndorme, lundruam nga Filipia dhe për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.

Pali për herë të fundit në Troadë

Të dielëny, ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalën deri në mesnatë. Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar. Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. 10 Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë e tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur». 11 Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis. 12 Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë.

Udhëtimi nga Troada në Milet

13 Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë. 14 Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë. 15 Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samosz dhe të nesërmen mbërritëm në Milet. 16 Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.

Pali u flet pleqve të kishës së Efesit

17 Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. 18 Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, 19 duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. 20 Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. 21 Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. 22 Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. 23 Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. 24 Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. 25 Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. 26 Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, 27 sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. 28 Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrëszh, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet.

29 E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. 30 Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t’ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t’i tërhequr dishepujt pas vetes. 31 Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet.

32 E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t’ju rrisë në besim e t’ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. 33 Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. 34 Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. 35 Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”».

36 Pasi tha këto fjalë, ai ra në gjunjë bashkë me të gjithë ata dhe u lut. 37 Të gjithë shpërthyen në lot. Ata e përqafuan Palin dhe e puthën, 38 duke ndier dhimbje, sidomos për atë që kishte thënë se nuk do ta shihnin më.

Pastaj e përcollën deri tek anija.


 xh20.4 dorëshk. të tjera edhe: dhe e përcollën deri në Azi

 y20.7 ose: Ditën e parë pas së shtunës

 z20.15 dorëshk. të tjera edhe: dhe qëndruam në Trogjil

 zh20.28 ose: peshkopë