Pali në Korint
1 Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint. 2 Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont, që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për t’i takuar 3 dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ndenji e punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave.
4 Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë e helenët.
5 Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisët, duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti. 6 Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre e u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorëth. Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj t’u predikoj kombeve». 7 Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës. 8 Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Edhe shumë korintas që e dëgjuan Palin, besuan dhe u pagëzuan. 9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: «Mos ki frikë, por fol e mos hesht, 10 se unë jam me ty dhe askush nuk do të ngrejë dorë kundër teje për të të bërë keq. Shumë nga ata që jetojnë në këtë qytet më përkasin mua». 11 Pali ndenji aty një vit e gjashtë muaj dhe u mësonte atyre fjalën e Perëndisë.
12 Në kohën kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, judenjtë u bashkuan kundër Palit, e çuan para gjykatësit 13 dhe thanë: «Ky njeri po kërkon t’i bindë njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në kundërshtim me ligjin». 14 Sapo Pali deshi të fliste, Galioni u tha judenjve: «Po të bëhej fjalë për ndonjë krim apo faj të rëndë, o judenj, do të kisha arsye për ta pranuar ankesën tuaj. 15 Por, meqë bëhet fjalë për diskutime lidhur me emra e me ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë. Unë nuk dua të bëhem gjykatës për këto gjëra». 16 Pastaj i largoi nga gjykata. 17 Atëherë të gjithë atau e kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës, ndërsa Galioni nuk donte t’ia dinte fare për këto gjëra.
Kthimi i Palit në Antioki
18 Pali, pasi ndenji për njëfarë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim.
19 Kur arritën në Efes, i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë e diskutoi me judenjtë. 20 Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi. 21 Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: «vNë dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije.
22 Pasi arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki. 23 Ndenji aty për njëfarë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve.
Shërbesa e Apolit
24 Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë e i njihte mirë Shkrimet. 25 Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit. 26 Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, por kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë. 27 Meqë dëshironte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër e u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar, 28 sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë e u provonte hapur, përmes Shkrimeve, se Jezui është Krishti.