Veprat 17

Trazirë në Selanik

Sila e Pali, pasi kaluan nëpër Amfipojë e Apoloni, arritën në Selanik, ku gjendej një sinagogë e judenjve. Pali hyri brenda, sikurse e kishte zakon, dhe për tri të shtuna u mësonte Shkrimet, u shpjegonte e u provonte se Krishti duhej të vuante e të ngjallej prej të vdekurve. Ai u tha: «Ky Krisht, të cilin po jua shpall juve, është Jezui». Disa prej tyre u bindën e shkuan pas Palit e Silës, sikurse edhe shumë helenë që ishin kthyer në besimin e judenjve dhe disa gra nga shtresat e larta.

Por judenjtësh të nxitur nga smira, mblodhën disa njerëz të mbrapshtë nga ata që endeshin nëpër treg dhe pasi u bënë turmë, shkaktuan trazira në qytet. Ata sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe po kërkonin të gjenin Palin e Silën për t’i nxjerrë para popullit. Pasi nuk i gjetën, e tërhoqën zvarrë Jasonin bashkë me disa vëllezër dhe i nxorën para krerëve të qytetit duke bërtitur: «Ata që kanë bërë rrëmujë gjithë botën kanë ardhur edhe këtu e Jasoni i ka strehuar. Të gjithë këta veprojnë në kundërshtim me urdhrat e Cezarit e thonë se mbret na qenka tjetërkush, Jezui».

Kështu, me këto fjalë, i acaruan turmën dhe krerët e qytetit që po dëgjonin. Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve para si dorëzani, i lanë të shkonin.

Apostujt në Berea

10 Atë natë vëllezërit i nisën Palin e Silën në Berea. Kur arritën atje, shkuan në sinagogën e judenjve. 11 Këta judenj ishin më fisnikë se ata të Selanikut dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe. Çdo ditë shqyrtonin Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin kështu. 12 Prandaj shumë prej tyre besuan bashkë me disa gra helene fisnike, si dhe shumë burra.

13 Por kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pali e kishte predikuar fjalën e Perëndisë edhe në Berea, erdhën deri aty që të nxisnin turmat e të bënin rrëmujë.

14 Atëherë vëllezërit e nisën Palin në drejtim të detit, ndërsa Sila e Timoteu mbetën aty. 15 Ata që e shoqëruan Palin, e çuan deri në Athinë e pastaj u kthyen të porositur prej tij që Sila e Timoteu të shkonin tek ai sa më parë.

Pali në Athinë

16 Ndërsa po i priste në Athinë, Pali u mërzit shumë kur pa se qyteti ishte plot me idhuj. 17 Ai diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me të kthyerit në besimin e judenjve dhe çdo ditë fliste në sheshin e tregut me ata që ndodheshin aty. 18 Disa filozofë epikurianë e stoikë po diskutonin me të.

Disa thanë: «Çfarë po përpiqet të na thotë ky fjalaman?». Disa të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja». Këtë e thanë sepse ai po predikonte ungjillin e Jezuit dhe ngjalljen.

19 Atëherë e morën, e çuan në Areopag dhe e pyetën: «A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri për të cilin po flet? 20 Na tingëllojnë si gjëra të çuditshme, prandaj dëshirojmë të dimë ç’kuptim kanë ato».

21 Në të vërtetë, të gjithë athinasit e të huajt që jetonin aty, nuk e kalonin kohën ndryshe veçse duke treguar apo duke dëgjuar ndonjë të re. 22 Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: «Athinas, unë po shoh se jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka. 23 Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur”. Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall. 24 Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. 25 Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t’i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. 26 Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. 27 Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh.

28 “Në të jetojmë, lëvizim e jemi,

sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj,

se edhe ne jemi bijtë e tij”.

29 E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve. 30 Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen, 31 sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve».

32 Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër». 33 Atëherë Pali u largua prej tyre. 34 Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara, si edhe disa të tjerë.


 sh17.5 dorëshk. të tjera edhe: të cilët nuk u bindën