Veprat 13

Zgjedhja e Barnabës dhe Saulit

Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M’i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

Predikimi në Qipro

Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.

Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë 10 e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? 11 Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe».

Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. 12 Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.

Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë

13 Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre e u kthye në Jerusalem. 14 Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë.

Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën. 15 Pas leximit të ligjit e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t’u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thuajeni». 16 Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha: «Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni: 17 Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm 18 dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë. 19 Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi 20 për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatësq deri në kohën e profetit Samuel. 21 Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Benjaminit, që mbretëroi për dyzet vjet. 22 Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t’i plotësojë tërë dëshirat e mia”. 23 Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin. 24 Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej. 25 Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh sandalet”.

26 Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve. 27 Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë. 28 Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste. 29 Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr. 30 Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve 31 e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galilea në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit.

32 Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë, 33 Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet:

ti je Biri im,

të kam lindur sot.

34 Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë:

Unë do t’ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit.

35 Prandaj në një psalm tjetër ka thënë:

nuk do të lejosh,

që i Shenjti yt të shohë kalbjen.

36 Davidi, në kohën e tij, i shërbeu shestimit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet e u kalb. 37 Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb.

38 Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut. 39 Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë. 40 Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët:

41 shikoni o përbuzës,

mrekullohuni e zhdukuni,

se unë do të bëj një vepër të tillë

në ditët tuaja,

vepër që nuk do ta besonit kurrë,

edhe po t’ua thoshte dikush».

42 Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t’u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. 43 Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë.

44 Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. 45 Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali.

46 Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t’ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t’u drejtohemi kombeve. 47 Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu:

të kam caktuar të jesh

dritë për kombet,

që të çosh shpëtimin

deri në skajet e dheut».

48 Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin.

49 Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. 50 Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre.

51 Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon.

52 Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë.


 q13.20 dorëshk. të tjera: dhe pastaj për afro katërqind e pesëdhjetë vjet u dha gjykatës